AAK: Vendimi i Qeverisë për pagat e mësimdhënësve është skandaloz
Lexohet për: 2 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se vendimi i Qeverisë Kurti për mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit është skandaloz.

Në një komunikatë për media thuhet se qeveria ka shkelur ligjet në fuqi duke  vazhduar me ndëshkimin e atyre që nuk mendojnë si ajo.

 “Shtypja e atyre që mendojnë ndryshe, është cilësi e regjimeve autokratike e diktatoriale. Kjo ndodh në Kosovë, pasi që i tërë pushteti ndodhet në dorën e një njeriu. Qeveria e cila nuk ka realizuar as 5% të planit të punës e as 3% të investimeve kapitale, po kërkon armiq të brendshëm, te sindikata e opozita, te mësimdhënësit, personeli shëndetësor, administrata publike, Policia e zjarrfikësit”, thuhet në reagim.

Për më tepër, AAK ka akuzuar Qeverinë Kurti për kapjen e bordeve dhe korrupsion, ndërkohë që vendi është zhytur në degradim ekonomik, krizë energjetike dhe ngritje enorme të çmimeve.

“Mësimdhënësit grevistë, e kanë përkrahjen dhe zotimin tonë që nuk do të ndalemi së kundërshtuari këtë vendim jonjerëzor, e nëse në këtë mandat nuk do të kemi mundësi e numra që të ndryshojmë diçka për të mirën e tyre, atëherë qeverisja e ardhshme e Aleancës, do të kompensojë secilin, ashtu siç kemi kompensuar gjatë mandatit tonë edhe mësuesit e viteve '90të”, përfundon reagimi i AAK-së.

Ndryshe, Ministria e Financave nuk ka alokuar as sot deri në orën 16:00 pagat për grevistët. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për KosovaPress se pagat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët që kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.

Ndërsa, Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës kanë pritur që pagat të dalin sot gjatë ditës.

Në anën tjetër Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi(IKD) ka thënë se mos ekzekutimi i pagave për grevistët është në kundërshtim me ligj. 

https://kosovapress.com/abdixhiku-mesimdhenesve-do-tu-paguhen-pagat-heret-apo-vone/
https://kosovapress.com/as-sot-nuk-jane-ekzekutuar-pagat-miftaraj-eshte-persekutim-ndaj-grevisteve/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025