Bashkim Ramosaj nga AAK, sot në konferencë për media foli për shqetësimet lidhur me Projektligjin për buxhetin e vitit 2023, që sipas tij, ka të bëjë me cenimin e autonomisë financiare të komunave të Kosovës, sidomos siç tha ai, në nenin e 6-të, paragrafin e nëntë, ku sipas tij, komunave u cenohet autonomia në menaxhimin e buxhetit.
“Komuna funksionin në bazë të kompentencave ekskluzive vetakane që ka, të cilat janë të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjin për vetëqeverisje lokale dhe njëkohësisht edhe me ligjin për menaxhimin e financave publike lokale dhe ligjin për menaxhimim e financave shtetërore. Në këtë rast, në këtë paragraf është cenu diçka që komunave u jepet edhe me ligj edhe e Kushtetutë, që janë taksat që i marrin nga qytetarët, për punë kapitale dhe për pagesën e borxheve, kontratave që komuna i ka në këtë rast.”, tha ai.
“Praktikisht, është aspekti financiar, goditja që ju bëhet komunave. Edhe në aspektin tjetër ligjor çdo ligj kur amandamentohet duhet të ketë një procedurë të saktë kur bëhet propozimi, kur bëhet debati, kur pyeten komunat mbi vlerësimin, kur jepen komentet e saj. Kurse, në këtë rast është kontrabandu ky nen, ky paragraf, i cili tinëzisht në Projektligjin e buxhetit për vitin 2023, komunat cenohen sidomos në buxhet, ku ky buxhet duhet të jetë simas këtij propozimi, duhet të jetë pjesë e fondit të Republikës së Kosovës, fondit buxhetor, e që komunës i tërheket ky buxhet për amandamentim nga Qeveria”, u shpreh ai.
I pari i Deçanit i bëri thirrje Qeverisë, Kryeministrit, Kuvendit, ministrisë së Financave që të kenë kujdes të mos i cenojnë kompetencat e komunave.
Në konferencën e së premtes të AAK-së kanë marrë pjesë zyrtarë të kësaj partie nga komuna e Klinës, Rahovecit dhe Gjakovës.