AAK i quan mashtrim ordiner masat e propozuara nga qeveria
Lexohet për: 3 min.
AAK - Konferenca (1 of 12)
2 vite më parë
Linku u kopjua


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar ndaj pakos së propozuar nga Qeveria e Kosovës, duke thënë se ajo nuk është asgjë tjetër vetëm se një mashtrim ordiner nga kryeministri Albin Kurti.

Në një reagim për media, AAK-ja thotë se tejkalimi i krizave nuk bëhen përmes lëmoshës, por përmes masave serioze duke filluar nga miratimi urgjent i ligjit të pagave, zvogëlimi i taksave, heqja e përkohshme e TVSH për produktet esenciale, zhbllokimi i buxhetit, rishikimi i kontratave e masa të tjera lehtësuese.

“Qeveria po ia nxjerr sytë e po ia ngjet vetullat këtij populli. Këto masa që sot janë propozuar nga Qeveria, janë vërtet mashtrim i ultë që iu bëhet qytetarëve të vendit me paratë publike. Pakoja e prezantuar nga Kurti është mashtrim ordiner. Nuk kapërcehet kriza me lëmoshë. Paqja sociale nuk blihet me 50 e as me 100 euro”, thuhet në reagim.


AAK konsideron se bllokimi i investimeve kapitale duke i lënë pa punë 60% të punëtorëve të ndërmarrjeve kontraktuese për punë në sektorin publik e të ndahen paratë për ndihma sociale janë veprime antiligjore, antikushtetuese dhe ofendues për popullin e Kosovës.


“Sulmet që kryeministri u bën komunave për, siç shprehet ai, sulm ndaj shtetit, janë ofendimi më i madh që u bëhet atyre. Kryeministri më mirë është ta ndërrojë ministrin e vet, sepse komunat nuk mund t'i ndërrojë”, përfundon reagimi.

Ndryshe, kryeministri Kurti ka prezantuar pakon e re për përballje me inflacion prej 150 milionë eurosh. Në këtë pako parashihet mbështetja e familjeve që kursejnë energji elektrike, mbështetje për punëtorët e sektorit publik, privat, pensionistët, studentët dhe familjen nën asistencë sociale.

Në pakon e re të qeverisë pensionistët do të marrin shumën e njëhershme prej  100 eurove, ndërsa familjet në asistencë sociale do të mbështeten duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.

Për zyrtarët publikë do të ndahet shtesa 50 euro duke filluar nga muaji shtator, ndërsa për punëtorët e ndërmarrjeve publike shuma 100 euro.

Qeveria do të mbështesë secilin biznes që i rrit pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë.

Përkrahja e qeverisë do të zgjerohet edhe për studentët, për të cilët do të ndahet shuma 100 eurove në nëntor.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025