Në moshën 16-vjeçare, Labinot Dezdari iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke u bërë pjesë e brigadës 135 “Agim Zeneli”, në Rrafshin e Dukagjinit.
Ashtu si shumë të rinj të asaj kohe, ai u bë pjesë e luftës me qëllimin për çlirim e liri të vendit.
Asnjëherë nuk arriti të përfitojë nga shteti pensionin e veteranit të luftës, për çka flet me zhgënjim për institucionet.
“Sot nuk është e mira materiale apo diçka e ngjashme, por është problemi te mohimi i të drejtës ligjore. Është një fyerje për sakrificën tonë dhe për gjakun për këtë vend. Unë kërkoj nga opinioni publik, nga qeveria që të reflektojë sepse kjo nuk është vetëm ndaj nesh si veteran por për vet vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky shtet. Është shumë e vështirë të diskutojmë tani për këtë çështje pas 27 viteve. Sepse diskriminimin as që e kemi menduar ndonjëherë.... ndarjet që janë krijuar sidomos ndaj veteranëve të shërbyesve publik, në këtë rast mua dhe shumë kolegëve të mi që punojnë në sektorin publik nga ajo privat më duket se është shumë e pakuptimtë”, thotë ai.
Labinot Dezdari thotë se dera e vetme që u kanë mbetur edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku edhe i kanë dorëzuar disa dokumente.
Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla thotë se ky është diskriminim dhe shkelje e të drejtave.
Sipas tij, vet ligji diskriminon këtë kategori lufte, meqë nuk u mundësohet që të përfitojnë.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se legjislatura e ardhshme do të duhej që ta iniciojë ndryshimin e këtij ligji.
Në tetor të vitit të kaluar Gjykata Supreme e Kosovës e ka shfuqizuar një nen të udhëzimit administrativ, i cili u kërkonte veteranëve të UÇK-së të paraqesin dëshmi se nuk ishin në marrëdhënie pune për të përfituar nga pensioni.