Kosova nga vëzhgues parlamentar është pranuar dje si shtet anëtar i asociuar nga Komisioni i Përhershëm drejtues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Ky po konsiderohet hap i rëndësishëm dhe niveli më i lartë para se Kosova të bëhet anëtare e plotë në strukturat e NATO-s.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci për KosovaPress deklaron se prezenca e rregullt e Kosovës në asamble do të mundësojë lobim më efektiv për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në NATO. Ndërkaq, ish-diplomatë thonë se anëtarësimi në këtë organizatë nuk ndërlidhet me atë të Kosovës në NATO. Sipas tyre, Kosova nuk mund të flas për anëtarësim në këtë aleancë, përderisa kërkon trupa shtesë për mbrojtje të vendit nga agresioni serb.
Vendim të rëndësishëm e konsideron edhe deputeti i VV-së Driton Hyseni, i cili thotë se deri më tani Kosova ka pasur status të delegacionit vëzhgues. Ndërkaq, siç shton ai, me vendimin e djeshëm, do të ketë ngritje të nivelit të delegacionit në kuadër të këtij institucioni.
Tutje, kryesuesi i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-së shton se hapi i djeshëm në avancimin e statusit të Kosovës, paraqet gatishmëri nga Asambleja Parlamentare e NATO-s që Kosovën ta ketë afër.
Një gjë të tillë e thotë edhe ish-Ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, e cila për KosovaPress thotë se anëtarësimi në këtë organizatë nuk ndërlidhet me anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Për Kosovën, anëtarësimi në secilën organizatë apo avancimi i pozicionit aktual është i rëndësisë së veçantë, dhe sidomos në këtë kohë kur Kosova në politikën e jashtme vetëm sa ka shënuar zbrapsje dhe degradim. Avancimi i statusit në anëtar të asociuar për Kosovën me tre anëtarë dhe pa të drejtë vote, në këtë kohë kur lufta në Ukrainë e rrezikon edhe gjithë Evropën, është diçka e natyrshme. Anëtarësimi në këtë organizatë nuk ndërlidhet me anëtarësimin e Kosovës në NATO sepse ky është institucion civil i përbërë nga anëtarët e parlamenteve të shteteve dhe nuk është institucion ushtarak dhe politik siç është NATO. Për më tepër në këtë organizatë anëtare e asociuar (sikurse Kosova) është edhe Serbia e cila i kundërvihet anëtarësimit në NATO. Kosova nuk mund të flas për anëtarësim në NATO, përderisa ne i kemi ushtarët e NATO-s që e ruajnë sovranitetin e shtetit si dhe Qeveria jonë kërkon trupa shtesë për mbrojtje të vendit nga agresioni serb”, shprehet ajo në një përgjigje me shkrim.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...