Policia e Kosovës përmes një komunikate për media e ka konfirmuar se ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orëve për Arbon Rifatin dhe Daut Mehmetin.
Trajneri kosovar, Arbnor Rifati dhe gjyqtari Daut Mehmeti janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës nën akuzat për kurdisje të ndeshjeve, pas një aksioni nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, raporton KosovaPress.
“Sektori i Hetimeve Financiare i DHKEK, më 30.06.2023 ka zbatuar urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për kontroll në dy lokacione të ndara, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Prizren. Urdhër-kontrolli është zhvilluar me qëllim të sigurimit të dëshmive shtesë dhe arrestimin e dy të dyshuarve në lidhje me veprën penale ‘kurdisje e ndeshjes ose sportit’.
I dyshuari i parë (refer me licencë ndërkombëtare), dyshohet të ketë kurdisur ndeshjet basketbollistike në kuadër të Super ligës së Kosovës, Ligës Unike Kombëtare dhe Ligës Ballkanike, veprimet i ka kryer në bashkëveprim me të dyshuarin e dytë (trajner basketbolli).
Të dyshuarve pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve”, shkruante në komunikatën e Policisë së Kosovës.