Ka nisur në Bruksel takimi i përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Borrell sot përmes një postimi në Twitter ka bërë të ditur se ka ftuar në një takim urgjent kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për të gjetur një zgjidhje për situatën në veri.
Mbrëmjen e së mërkurës, kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se do të udhëtojë për në Bruksel për takimin e radhës të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ai është shprehur se atje do të insistojë për lirimin urgjent dhe pa kushte të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar po të mërkurën se nuk mund të konfirmojë datën për takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Megjithatë, Stano ka shtuar se nuk ka kohë për të humbur dhe duhen veprime konkrete.
Para ndërtesave komunale janë duke qëndruar protestues serbë, të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.
Protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë, të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.
Ndërsa, forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët janë duke u mbajtur në Serbi./KosovaPress