Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e koncentroi në Prekaz, në zemrën e UÇK-së duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.
Ajo që ndodhi në fillimet e marsit të vitit 1998 është një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj, politikë e diplomatikë. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit ngrehi çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi u rrethua nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Atje pati rrethim të hekurt.
Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.
Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoj tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.
Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.