Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, ka kujtuar ata duke postuar edhe një thënie të Jusuf Gërvallës.
Më 17 janari 1982 u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Edhe pse kanë kaluar 40 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me veprimtarët.
Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova. Atentati ka ndodhur, përderisa drejtuesi i veturës (BMË 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit.
Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: "Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit". Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime.
Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: "E tëra dukej si pas një ekzekutimi".
Ishte metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thoshte snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i, Siegfried Hubner: duhet qëlluar me katër plumba, "tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse".