25 vjet burg për Enver Sekiraqën
Lexohet për: 2 min.
fwfw
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Enver Sekiraqën me 25 vjet heqje lirie për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza. Sipas gjykatësit, Sekiraqës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Triumf Riza u vra me armë zjarri më 30 gusht 2007 me të dalë nga lokali në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Për vrasjen e tij është dënuar Arben Berisha, i cili ka pranuar se ka shtënë në drejtim të Rizës. Këtij incidenti, siç pretendonte Prokuroria, i kanë paraprirë një seri incidentesh, ku më i voni ishte incidenti në “Swiss Casino” në dhjetor 2006. Sekiraqa ishte në arrati për rreth pesë vjet. Në arrati e i dyshuar ka qenë edhe Ilir Avdullahu deri më 16 korrik 2023, kur u arrestua. Ndaj tij Prokuroria Speciale nuk ka ngritur ende aktakuzë.

Prokuroria pretendon se Sekiraqa ishte udhëheqës i grupit kriminal dhe ishte i shtyrë prej hakmarrjes, meqë, sipas saj, Riza e kishte rrahur Sekiraqën në lokalin e lojërave të fatit “Swiss Casino” në Prishtinë një vit para vrasjes së Rizës. Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vjetësh. Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

I akuzuari Sekiraqa detyrohet të paguajë shpenzimet procedurale aq sa do të bëhen sipas llogarisë përfundimtare të kësaj gjykate, për paushall gjyqësor shumën prej 200 euro dhe 50 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Pala e dëmtuar u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil ndërsa palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit. Triumf Riza u vra më 30 gusht 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet heqje lirie, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burg. /rtv21

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025