“2023-ta, vit i zhvillimit të hovshëm sportiv”, Osmani: Sivjet investojmë në infrastrukturë
Lexohet për: 3 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

2023-ta po konsiderohet të ketë qenë viti me zhvillimin më të hovshëm të sportit, si për zhvillimin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar.

Kështu e cilëson vitin 2023 në një intervistë për KosovaPress zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani. Ajo, mbi të gjitha, vlerëson ndryshimet në infrastrukturën ligjore, duke përfshirë projektligjin e ri për sport, i cili parasheh fuqizimin e strukturës sportive ku përfshihet edhe Agjencia për Sport si organi më i ri në këtë fushë.

“Ligji parasheh fuqizim të strukturës sportive, përkundër se bashkëpunimi ka ekzistuar vazhdimisht me federatat, klubet, akterët e jashtëm, mirëpo përmes ligjit sqarohet saktësisht roli, përgjegjësitë, detyrat dhe kompetencat e secilës palë, secilit akterë që është brenda sistemi tonë. Përtej kësaj, parasheh edhe riorganizim të strukturës institucionale, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit vazhdon të mbetet zëri kyç i sportit në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, mirëpo parashihet edhe themelimi i Agjencisë për Sportin i cili do të ketë rol ekzekutiv në zbatim të politikave sportive në kuadër të vendit tonë, pastaj themelimi i Inspektoratit për Sport i cili kryesisht do të jetë i fokusuar te çështja e inspektimit të infrastrukturës sportive”, thotë Osmani.

Osmani zbulon se me këtë ligj, për herë të parë parashihet kompensimi financiar i sportistëve, të cilët kanë kontribuar në kohën e okupimit.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Vitin e kaluar, Osmani e konsideron si vit kyç për zhvillimin e sportit në Kosovë që kulmoi me fitimin e të drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

“Konsiderojmë që 2023-ta deri më tani është viti kyç i zhvillimit të sportit në vend për shkak se kryesisht fokusi apo mobilizimi dhe investimi ka qenë te zhvillimi i brendshëm i sportit dhe ne këtë e kemi më së shumti për nevojë tani”, thekson Osmani.

Kritikave se MKRS-ja nuk ka bërë investime të mëdha në infrastrukturë, Osmani iu përgjigjet duke thënë se janë gjetur shumë shkelje ligjore në projektet e viteve të kaluara dhe se është dashur rregullimi i tyre. Ajo shton se 2024-ta do të jetë vit i shumë investimeve në infrastrukturën sportive.

2024-ta do të jetë vit që në Kosovë sjell pesë ngjarje ndërkombëtare të basketbollit, dhe kjo sipas Osmanit do të ndikojë në rritjen e investimeve në renovimin dhe ndërtimin e palestrave të reja.

Gjatë vitit 2023, Osmani thekson gjithashtu se përmes subvencioneve të ndryshme, për sektorin e sportit, MKRS ka ndarë mbi 12 milionë euro.

Vëmendje të veçantë MKRS po i kushton edhe projektit “Sporti në Shkolla”, i cili, sipas Osmanit, synon shtrirjen e aktivitetit sportiv brenda klasave në shkollat fillore dhe të mesme./A.Bytyçi

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024