Dita Botërore e Osteoporozës është një fushatë sensibilizuese mbarëbotërore, e cila ka si qëllim të rrisë informimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin, diagnozën e hershme dhe trajtimin e osteoporozës.
Osteoporoza është një sëmundje gjatë së cilës densiteti i kockës dhe cilësia e saj reduktohet gradualisht duke e bërë atë më të thyeshme. Humbja e masës kockore ndodh në mënyrë të heshtur dhe graduale, shpesh pa simptoma derisa ndodh fraktura e parë. Në shumë raste është ajo që evidenton osteoporozën, prandaj dhe është quajtur “epidemi e heshtur”.
Osteoporoza prek si femrat ashtu edhe meshkujt. Keqkuptimi më i zakonshëm është se osteoporoza prek vetëm femrat. Është e vërtetë se gratë në menopauzë janë më të rrezikuara për osteoporozë, por ajo prek miliona meshkuj anembanë botës. Rreziku i frakturave te meshkujt është më i madh se rreziku i zhvillimit të kancerit të prostatës. Disa faktorë rreziku duket se shtojnë rrezikun për osteoporozë. Këta faktorë mund të jenë 1) të pandryshueshëm ose 2) të ndryshueshëm/të modifikueshëm
Faktorë të pandryshueshëm janë:mosha, gjinia (gratë, sidomos mbas menopauzës, janë më të rrezikuara), historia familjare (familjarë të afërt sidomos prindërit me osteoporozë paraqesin rrezik për osteoporozë), menopauza, hypogonadizmi te meshkujt, përdorimi për një kohë të gjatë i disa ilaçeve (kortizonikë, hormone të tiroides, antiepileptikë, citostatikë), artriti reumatoid si dhe disa sëmundje kronike (keqpërthithja, sëmundjet e mëlçisë, hyperthyroidismi, etj.).
Pas moshës 20 vjeç, hollimi i kockave është një proces natyral që nuk mund të ndalet plotësisht, prandaj ndërgjegjësimi për osteoporozën duhet të fillojë që në moshë të re.
Mënyra më e mirë për të parandaluar dobësimin e kockave është fillimi i aktivitetit fizik dhe ushqyerja e shëndetshme që në fëmijëri, dhe ruajtja e këtyre zakoneve dhe në moshë të rritur.
Sasia e kalciumit që duhet të marrim ndryshon në stade të ndryshme të jetës. Kërkesat për kalcium janë të larta në vitet e adoleshencës. Me kalimin e moshës aftësia e trupit për të përthithur kalcium ulet. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi e produktet e tij; perimet jeshile si brokoli, lakra jeshile; disa fruta si portokalli, kajsia, fiqtë e thatë; peshku i konservuar, sardelet; arrat, bajamet; drithërat; lëngjet e frutave, etj.
Vitamina D është gjithashtu esencilale për përthithjen e kalciumit. Ekspozimi për 15 minuta në ditë në diell i duarve, i krahëve dhe fytyrës, është zakonisht i mjaftueshëm për prodhimin e vitaminës D për shumicën e njerëzve. Vitamina D mund të sigurohet edhe nga ushqimet dhe suplementët. Ushqime të pasura me vitaminë D janë vaji i peshkut, veza, mëlçia, drithërat, etj.
Ndjekja e një stili të shëndetshëm jetese është pjesë e kujdesit për kocka të shëndetshme.