Ministria e Drejtësisë ka bërë sonte hapjen zyrtare të ceremonisë në kuadër të shënimit të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila ka për qëllim eliminimin e dhunës ndaj grave, duke siguruar qasje në drejtësi dhe mbrojtje institucionale.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se institucionet solidarizohen dhe janë të përkushtuara për një shoqëri të drejtë, të barabartë dhe pa dhunë.
Haxhiu theksoi se kampanja kundër dhunës me bazë gjinore ofron një mundësi për të shprehur solidaritetin kundër çdo forme të dhunës.
Ajo e ka quajtur të rëndësishme qasjen e duhur të viktimave të dhunës familjare në sistemin e drejtësisë, duke përfshirë edhe mbrojtjen dhe sigurinë e tyre përmes ndihmës juridike falas.
Albet Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, theksoi se shoqëria jonë duhet të trajtojë barazi në baza gjinore dhe të eliminojë format e ndryshme të dhunës. Ai tha se sistemi gjyqësor është i mobilizuar për trajtimin e të gjitha rasteve të dhunës, e cila është një temë shumë e ndjeshme e shoqërisë sonë.
Koordinatorja e programeve të UN, Arnhild Spence, ka folur për luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, duke thënë se një gjë e tillë përbën shkelje të të drejtave të njeriut dhe si e tillë edhe duhet ndalur.
Jubilea Kabashi, drejtoreshë e Qendrës për Strehim të Grave dhe Fëmijëve në Prizren, ka numëruar shkaqet të cilat ndikojnë në krijimin e dhunës dhe pabarazisë gjinore, duke kërkuar që rastet e raportuara të dhunës duhet të trajtohen si duhet nga sistemi gjyqësor.
Fushata globale “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore”, ka për qëllim ngritjen e vetëdijesimit shoqëror kundër dhunës ndaj grave. Kjo fushatë zhvillohet çdo vit në vende të ndryshme të botës dhe ka për qëllim eliminimin e dhunës në baza gjinore.