Numër i madh i qytetarëve, sot kanë dalë në qytetin e Gjilanit për ta festuar 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ata janë shprehur të gëzuar, por kanë thënë se është dashur më shumë punë. Ndërkohë, kryetari i Gjilanit ka thënë se e veçanta e këtij viti, krahasuar me vitet tjera ka qenë numri më i madh i aktiviteteve të zhvilluara.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka thënë se interesimi i qytetarëve për t'i ndjekur aktivitetet, sot, në 15-vjetorin e pavarësisë ka qenë mjaft i madh. Ai ka treguar se aktivitetet në komunën që ai e udhëheq, kanë nisur dy ditë më parë.
Sipas tij, e veçanta e këtij viti krahasuar me vitet tjera ka qenë numri më i madh i aktiviteteve të zhvilluara.
"Këtë vit ka qenë numri i madh i aktiviteteve, është edhe vit i veçantë, 15-vjetori i pavarësisë, ndërkaq viteve tjera po shpresojmë të kemi përfshirje më të madhe të njerëzve, të kemi aktivitete më kreative që në këtë formë t'i jepim jehonë të veçantë festës së pavarësisë.", ka shtuar Hyseni.
"Po ndihemi shumë mirë, jemi ardhë prej fshatit...dhe atmosfera sot shumë e mirë në Gjilan...Mirëpo, është dasht shumë më shumë punë, por qaq kanë punuar.", ka thënë Kallaba.
Për qytetarin, Isa Mullaidrizi, festa e pavarësisë mbetet më e rëndësishmja për vendin, por është shprehur i shqetësuar për dëshmorët.
"Po ndihem shumë i gëzuar...Mirëpo pak jam i dëshpëruar pasi kur po flitet për dëshmorët, po flitet vetëm për një periudhë historike, jo edhe për periudhat tjera që kanë dhënë jetë. Unë sot i kam 81 vjet, por kur ka shku në luftë prindi jem më ka lënë vetëm 3 vjet...Por, përkundër rrethanave që i kemi, veçanërisht Serbinë, por faleminderit Amerikës dhe shteteve tjera evropiane.", ka thënë Mullaidrizi.
Ndërkaq, qytetari, Nazif Misini është shprehur se për 15 vjet shtet është dashur të punohet më shumë.
Komuna e Gjilanit, me rastin e shënimit të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, këtë vit ka pasur një agjendë më të ngjeshur të aktiviteteve, derisa nesër ky qytet do të përmbyllë pjesën festive të 15-vjetorit, pasi në mbrëmje do të mbajnë edhe aktivitetin e fundit, Gala Koncert nga Rona Nishliu dhe grupi i saj.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku kanë marrë pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri ka shpallur Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.