Kongresi i Dibrës, i njohur si Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman u mbajt nga data 23 deri më 29 korrik 1909 në qytetin e Dibrës.
Kongresi u sponsorizua nga qeveria osmane xhonturke nëpërmjet Komitetit Qendror xhonturk “Bashkim e Përparim”, me qëllim që të ndikonte me mjete paqësore te shqiptarët për një qëndrim sa më besnik të këtyre ndaj qeverisë osmane.
Interpretimet e historianëve për vendimet dhe rëndësinë e Kongresit të Dibrës janë te dyfishta: nga njëra anë ato theksojnë pamjaftueshmërinë e këtyre vendimeve për qëllimet e Lëvizjes Kombëtare dhe përftimet që pati qeveria xhonturke nga ato, nga ana tjetër pranohet rëndësia e këtij kongresi në bashkimin e shqiptarëve dhe në prodhimin e rezultateve konkrete në plan kombëtar brenda perandorisë.
Pas 6 dite pune Kongresi, në mbledhjen e tij të fundit më 28 korrik, miratoi një program tjetër prej 17 pikash, të përgatitur nga Komisioni e të përbërë prej dy pjesësh: pjesa e parë, prej 5 pikash, që gjatë diskutimeve u quajtën “nene të bashkimit” ose “bashkimtare”, përfaqësonte programin e paraqitur nga xhonturqit me disa ndryshime që iu bënë në Kongres, nën trysninë e delegatëve shqiptarë.
Kjo pjesë e programit, me gjithë ndryshimet që pësoi në Kongres, ruajti në thelb karakterin e saj xhonturk. Në pjesën e dytë të programit, të përbërë nga 12 pika, të cilat gjatë punimeve të Kongresit u quajtën “nenet dytësore ose të nevojshme” (për shqiptarët), megjithëse në mënyrë mjaft të moderuar, u përfshinë disa nga kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e rrymës kombëtare shqiptare.
Një pjesë e mirë e masave që përfshiheshin këtu kishin të bënin me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e kulturor të vilajeteve të Turqisë Evropiane. Parashikohej ndërtimi në këto vilajete i hekurudhave dhe i rrugëve automobilistike; tharja e kënetave dhe sistemimi i lumenjve; krijimi në Turqinë Evropiane i shkollave normale turke për mësues dhe i shkollave të larta për tregti e mjeshtëri (profesionale), në të cilat të mësohej filozofia fetare, morali islam e Kurani; ngritja në një nga qendrat e Turqisë Evropiane e një universiteti turk; likuidimi i menjëhershëm i “Shoqërisë së duhanit të Perandorisë Osmane” (“Régie des tabacs…”) etj.