Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, u formua Qeveria me kryeministër Ismail Qemalin, e cila filloi ngritjen e institucioneve të shtetit shqiptar.
Ndër to, më 17 dhjetor 1912, u mor vendimi për themelimin e Shërbimit Sekret Shqiptar. Në këtë vendim thuhej: “Të organizohet një shërbim i fshehur për vise të shkelura të Shqipërisë”.
Vazhdimësinë e shërbimit sekret shqiptar e shohim përsëri pas ardhjes së princ Vilhelm Vidit (në vitin 1913), gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pas saj.
Më 21 janar 1920, Kongresi Kombëtar i Lushnjës bëri organizimin e Këshillit të Naltë dhe risanksionoi ndarjen e pushteteve, ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, si dhe krijimin e Ministrisë së Brendshme. Më datë 24 dhjetor 1921, ministër i Punëve të Brendshme u dekretua Ahmet Zogu, i cili bëri riorganizimin e MPB-së, duke krijuar dhe Seksionin sekret, ku drejtues u caktua Haki Stërmilli.
Në konsolidimin e institucioneve të shtetit shqiptar, nga janari 1927, pati rëndësi edhe organizimi i Shërbimit Informativ të Jashtëm, me qendër në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e përfaqësuar nga selitë tona diplomatike, duke organizuar një rrjet informativ që vepronte i lidhur me mekanizmin konsullatë - legatë -prefekturë.
Klane dhe forca politike të ndryshme, gjatë periudhës 1925 -1939, të shtyra nga interesa të ngushta dhe të përkrahura nga jashtë, kanë provokuar trazira, komplote, vrasje, kryengritje, etj., me qëllim destabilizimin e vendit dhe cenimin e sigurisë kombëtare.
Organet e sigurimit të shtetit organizuan veprimtarinë e tyre bazuar në një platformë të ish-byrosë politike dhe të pambështetur në ligj. Kjo solli shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Gjatë veprimtarisë së tij u bënë shumë shkelje ligjore. Ai vuri në survejim gjithë sektorët e jetës së vendit, kuadrot dhe njerëzit e thjeshtë, zbatoi praktika të padrejta dhe tejkaloi kompetencat, sidomos në kuadrin e luftës së klasave dhe të nxitjes artificiale të saj. Një numër qytetarësh u bënë viktima të kësaj veprimtarie.
Pas vitit 1990, me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, Organet e sigurimit të shtetit u reformuan, duke iu përshtatur kërkesave të shtetit ligjor. Kështu, në vitin 1991 u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar, me Ligjin nr. 7495, datë 02.07.1991, “Për organizimin e Shërbimit Informativ Kombëtar.” Detyrë parësore e këtij shërbimi u vendos parandalimi, zbulimi dhe ndërprerja e çdo veprimtarie antikushtetuese që cenon lirinë, pavarësinë, aftësinë mbrojtëse, tërësinë territoriale dhe pasurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. SHIK-u u krijua si një institucion i depolitizuar dhe si i tillë ka pësuar vazhdimisht ndryshime të herëpashershme. Në vitin 1999, me vendimin numër 61, datë 22 nëntor 1999, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, ndryshohet emërtimi nga Shërbim Informativ Kombëtar (SHIK) në Shërbim Informativ i Shtetit (SHISH).
01.08.1991 deri 29.06.1992 Irakli Koçollari
29.06.1992 deri 09.04.1997 Bashkim Gazidede
29.05.1997 deri 21.08.1997 Arben Karkini
21.08.1997 deri 07.08.2002 Fatos Klosi
18.11.2002 deri 27.01.2005 Kujtim Hysenaj
27.01.2005 deri 09.08.2012 Bahri Shaqiri
01.11.2017 deri 05.11.2018 Helidon Bendo (ka kryer funksionin)
05.11.2018 deri 23.12. 2022 Helidon Bendo