Kostoja e efekteve anësore të ndotësve të ajrit nga termocentralet e thëngjillit në Kosovë arrin shifrën deri në 11 milionë euro në vit. Kështu thuhet në raportin e Institutit për Politika Sociale “Musine Kokolari”, me titullin “A është thëngjilli zgjidhja më e lirë?”. Në raportin, i cili u publikua gjatë së hënës thuhet se kostoja shëndetësore nuk është e dukshme në faturën e energjisë elektrike të qytetarëve të Kosovës.
Drejtori ekzekutiv i Musine Kokolari, Visar Ymeri tha se prodhimi dhe konsumi i energjisë elektrike ka kosto shëndetësore.
“Ideja e raportit është më shumë që të hapet një diskutim se sa të mbyllet të gjeturat sa i përket kësaj çështje. Duke pasur parasysh kompleksitetin dhe ndikimin që prodhimi i energjisë elektrike me thëngjill ka në shumë aspekte, prej atyre mjedisore në ato shëndetësore në Republikën e Kosovës dhe qytetarët e Republikës së Kosovës në përgjithësi. Ky raport i ka dy pjesë, pjesa më thelbësore dhe përmbajtjesore është bërë nga autorët e raportit bashkë me Universitetin Aurhus në Danimarkë... Një prej aspekteve që nuk merret parasysh në Republikën e Kosovës është shpenzimi që shkakton prodhimi i energjisë me thëngjill në terma shëndetësor dhe dëmtimit të mjedisit, e cila nuk llogaritet në çmimin përfundimtar” ka theksuar Ymeri.
"Në disa pjesë të Evropës, tejkalimet janë në nivel të lartë, më shumë se 25 mikrogram thëngjill. Po ashtu në pjesë të mëdha të Evropës ka tejkalime të asaj se çka është sipas rekomandimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që cilësia e ajrit nuk duhet të tejkalojë shumë mikrogramët, për të shmangur rreziqet e shëndetit. Shumica e Evropës i tejkalon këto limite. Në fakt më shumë se 90 për qind e gjendjes raportuese të shteteve në Evropë i tejkalojnë udhëzuesit e OBSh-së për pesë mikrogram, por janë dy për qind të shteteve raportuese i tejkalojnë 25 mikrogram”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, limitetet e udhëzimeve të OBSH-së sa i përket cilësisë së ajrit, i tejkalon edhe Kosova.
Veç tjerash, raporti thekson se kostoja e efekteve anësore duhet të përfshihet në të gjitha projeksionet dhe strategjitë për energjinë, gjë që mundëson një politikë energjetike më të informuar për sektorin në vend.
Autorja e këtij raporti, Marigona Drevinja shtoi se në Kosovë mungojnë matjet e emetimit.
E drejtori i KFOS-it, Luan Shllaku tha se shfrytëzimi i qymyrit për prodhim të energjisë elektrike është problem për gjithë Kosovën. Sipas tij, thëngjilli nuk është zgjidhja më e lirë, por tashmë është trashëguar slogani se vendi duhet të bëhet fuqi energjetike në rajon.