106 vjetori i vrasjes së Isa Boletinit
Lexohet për: 2 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Sot bëhen 106 vjet që nga vrasja e Isa Boletinit.

I lindur më 15 janar 1864 në kullën e Boletinëve, afër Mitrovicës, patrioti shqiptar Isa Boletini u vra pabesisht nga malazezët në Podgoricë më 23 janar 1916, së bashku me djemtë e tij Halilin dhe Zahidin, dy nipërit dhe tre luftëtarë të tjerë.

Isa Boletini, vitet e rinisë i kaloi në vendlindje. Në prill të vitit 1881, si 17-vjeçar, ai mori pjesë në betejën e Shlivovës, ku u ndeshën trupat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me ushtrinë osmane.

Edhe pse në vitin 1908 ishte në krahun e xhonturqve, kjo lidhje u prish shumë shpejt. Në nëntor të vitit 1908, Porta e Lartë dërgoi një ushtri prej 7 mijë ushtarësh për të nënshtruar Kosovën. Komandën antiosmane e kishte në dorë Isa Boletini. Gjatë tërheqjes, osmanët i dogjën kullën në shenjë hakmarrjeje. Më pastaj, Isa Boletini udhëhoqi kryengritjet e kosovarëve në Prishtinë e Prizren.

Ai ishte një ndër udhëheqësit kryesorë të kryengritjes së pranverës së vitit 1910. Isa Boletini ishte bërë i njohur edhe për atë që i kishte ndodhur në Londër, kur edhe pas kontrollit që i kishin bërë rojat kur hyri për të takuar ministrin e jashtëm, Eduard Grej, ai ia kishte dalë që njërin revolver ta fuste brenda. Greji kishte bërë shaka me Boletinin duke i thënë se “atë që se bëri ushtria osmane, e bëra unë”.

Në korrik të vitit 2011, mbetjet mortore të Isa Boletinit dhe të bashkëluftëtarëve të tij, iu dorëzuan Komunës së Mitrovicës. Ato ia dorëzoi imami i kësaj komune, Mulla Asllan Murati, i cili 13 vjet pas rivarrimit nga Podgorica i ruajti në një vend të fshehur.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025