Më 14 tetor 2014, në orën 21:27 është ndërprerë ndeshja Serbi-Shqipëri që luhej në kuadër të kualifikimeve për kampionatin Evropian France 2016.
Ndërprerja ishte paralajmëruar po thuaj që para fillimit: Ishte ndaluar pjesëmarrja e tifozëve të Kombëtares shqiptare në Beograd, ndërsa tifozët serbë në stadium me fishkëllima e britma penguan intonimin normal të Himnit Kombëtar Shqiptar.
Arbitri britanik Martin Atkinson nuk e kishte të lehtë të ndante gjyqësinë që, sidomos nga lojtarët, tifozët, por edhe zyrtarë serbë që gjendeshin aty, konsiderohej betejë lufte.
E tensionuar, me epërsi të dukshme shqiptare, ndeshja vazhdoi kështu deri në minutën 42.
Të gjithë mbeten të habitur e të heshtur duke shikuar çudinë që zbriste nga lartësia.
Pastaj një futbollist serb e mori në hapësirë, pa rënë në tokë, flamurin me simbole shqiptare e lojtarët e kombëtares vrapuan menjëherë pas tij duke ia rrëmbyer nga duart.
Pjesëtarët e sigurimit, në vend se të mbronin lojtarët shqiptarë, u bënë bashkë me spektatorët e lojtarët serbë duke i goditur me grushte e karrige derisa ata sa u futen në kthinën e vet të stadiumit.
Në kushte të tilla nuk kishte si të vazhdohej loja.
Zhvillimi ndeshjes së ndërprerë Serbi - Shqipëri pastaj vazhdoi në tryezat politike.
Politikanë serbë na quajtën të pa civilizuar e vizita e paraparë e Edi Ramës në Beograd u shty për më shumë tri javë, pasi vëllai tij akuzohej ta kishte lëshuar dronin.
Batutat dhe fjalët lakonike thuheshin anglisht e shqip e serbisht me cinizëm por edhe me maturi.
Dhe këtu përfundoi “pjesa e parë” politike për ta vazhduar pjesa e dytë sportive e ndeshjes:
Pas ankesës së Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, më 10 korrik të këtij viti, 3 pikët e ndeshjes kaluan në anën e Shqipërisë.
Në ndërkohë ishte “zbuluar” edhe autori i dronit, Ismail Morina, Ballisti i cili bënte jetë të dyfishtë: Në famën e flamurit të tij e në dyshimin që ai të jetë vërtet autori i lansimit dhe i fshehjes e ruajtjes nga sigurimi serb nga i cili, thoshte ai, kërkohej për t’u vrarë.
Takimi Shqipëri – Serbi përfundoi me rezultatin 0: 2 dhe ai la shumë për të dëshiruar, sidomos për angazhimin e lojtarëve në fushë dhe të spektatorëve në tribuna. Edhe këtë radhë në ndeshje ka qenë e përzierë politika: Edi Rama uroi fitoren e ekipit serb, ndërsa tifozë të kuqezinjve, bashkë me udhëheqjen e lojtarët u “armatosen” për betejën në Erevan.
Mrekullia ndodhi në kryeqytetin armen: Ndeshja Armeni - Shqipëria përfundoi me rezultatin 3:0 dhe Serbia, tash, ashtu siç tha kapiteni i Kombëtares Lorik Cana, kampionatin evropian France 2016, do ta shikojë nga televizioni e me këtë edhe ndeshjet e Shqipërisë në këtë garë në të cilën ajo është për herë të parë.