Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 44 vatra zjarri në Shqipëri, nga të cilat 34 janë shuar, ndërsa 10 vatra mbeten ende aktive.
Ministria e Mbrojtjes tha se në disa nga vatra ku ndërhyrja nga toka është e pamundur është ndërhyrë nga ajri përmes ekipit rumun që ka ardhur në mbështetje të Shqipërisë për shuarjen e vatrave të zjarrit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit janë angazhuar 275 forca zjarrfikëse, 219 forca ushtarake, 44 efektive nga policia e shtetit, 161 struktura të emergjencës civile të pushtetit lokal, 52 nga administrata e zonave të mbrojtura, 54 shërbimi pyjor, si dhe 98 vullnetarë.
“Vlerësojmë punën e bërë deri tani nga bashkitë e prekura nga zjarret dhe u kërkojmë të angazhohen maksimalisht, të informojnë publikun dhe komunitetin e rrezikuar, të sigurojnë funksionimin e sistemit të monitorimit, të paralajmërimit të hershëm, të njoftimit dhe të alarmit në territorin e tyre si dhe të informojnë në kohë Prefektin e Qarkut dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile lidhur me situatat e zjarreve. I ftojmë gjithashtu të bashkëpunojnë me bashkitë fqinje, duke angazhuar kapacitetet në përballimin e zjarreve. U kërkojmë autoriteteve lokale, në zbatim të ligjit, të mbajnë në gatishmëri strukturat e sistemit të mbrojtjes civile si dhe të aktivizojnë kapacitetet e subjekteve publike e private për përballimin dhe lehtësimin e situatës nga zjarret”, tha Ministria e Mbrojtjes./RTSH