Numri i të prekurve me HIV të regjistruar në Klinikën Infektive që nga janari e deri tash është 10 raste të reja, por ka informata që ka edhe raste të tjera të reja që pritet të vijnë. Kështu bën të ditur shefi i repartit të HIV-it, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Murat Mehmeti, derisa thotë se ky numër pritet që të rritet në vazhdimësi.
Mehmeti në një prononcim për KosovaPress, tha se sipas informacioneve të marra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, numri i rasteve të prekura me HIV, është më i madh sesa që është i evidentuar.
Ndërkaq, Murati shtoi se moshat më të prekura nga HIV janë ata 20 deri në 25 vjeç dhe që kryesisht i takojnë gjinisë mashkullore. Ai shtoi se ky repart ka mungesë të stafit të mesëm, derisa potencoi se qëndrojnë mirë sa i përket furnizimit me barna esenciale.
Se numri i rasteve të prekura me HIV është në rritje e sipër, e thotë edhe drejtori i Qendrës Specialistike Psikiatrike “Labyrinth”, Safet Blakaj, i cili u shpreh se përdoruesit e drogës, marrëdhëniet intime mes gjinisë së njëjtë dhe faktorë të tjerë, po ndikojnë në shtimin e rasteve me HIV.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë , që nga fillimi i epidemisë mbi 85 milionë njerëz janë infektuar me virusin HIV, derisa rreth 40 milionë të infektuar kanë vdekur nga HIV. /Z.Zeneli/