​Von der Leyen merr pushtetin, tregon planet për Rusinë, Kinën e SHBA-në
Bota
Lexohet për: 4 min.
Von der Leyen merr pushtetin, tregon planet për Rusinë, Kinën e SHBA-në
4 ditë më parë
Linku u kopjua

Përfaqësuesit e Parlamentit Evropian votuan me shumicë dërmuese për herë të dytë Komisionin e ri Evropian të kryesuar nga Ursula von der Leyen. Ajo e merr detyrën të dielën.

Për konfirmimin e Komisionit votuan 370 përfaqësues, kundër 282 dhe abstenuan 36. Komisioni i dytë i Ursula von der Leyen u konfirmua me më pak vota në tre dekadat e fundit.

"Të gjejmë mënyra për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe për të kapërcyer fragmentimin. Kjo është ajo për të cilën unë dhe të 26 gratë dhe burrat do të përpiqemi çdo ditë. Jemi gati të fillojmë punën menjëherë," tha Von der Leyen pas votimit.

Nga mbështetja për Kievin te lufta në Lindjen e Mesme, te kthimi i afërt i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Komisioni Evropian merr detyrën në një kohë me shumë sfida.

Mbrojtja dhe siguria, mirëqenia dhe konkurrenca e qëndrueshme, demokracia dhe drejtësia sociale, një pozicion drejtues në botë dhe rezultatet në Evropë, janë disa nga synimet që von der Leyen deklaroi disa muaj më parë në udhëzimet politike për mandatin e ri.

Me lidershipin politik të dobësuar në Francë dhe Gjermani, kryetarja e re e Komisionit Evropian mund të luajë një rol edhe më të madh në formësimin e së ardhmes së Evropës në mandatin e saj të dytë, thonë analistët.

Ish-ministrja gjermane e mbrojtjes ka "forcuar ndjeshëm fuqinë e saj dhe profilin e saj si aktore politike" gjatë pesë viteve të fundit, tha Luigi Scazzieri nga Qendra për Reforma Evropiane.

Nën udhëheqjen e saj, Komisioni ka udhëhequr përpjekjet për të blerë vaksina kundër COVID, për të përdorur huamarrjen e përbashkët për të financuar rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, për të dërguar armë në Ukrainë dhe për të hequr Evropën nga gazi rus.

Von der Leyen shpalli forcimin e ekonomisë evropiane për të reduktuar ngecjen pas SHBA-së dhe Kinës dhe rritjen e aftësive mbrojtëse si prioritetet kryesore të Komisionit të ri Evropian.

"Liria dhe sovraniteti ynë varen më shumë se kurrë nga forca jonë ekonomike, siguria jonë nga aftësia për të qenë konkurrues, inovativ dhe produktiv," tha Von der Leyen.

Von der Leyen u tha ligjvënësve se ajo kishte premtuar të "qëndronte kursin" në Planin e Gjelbër Evropian, politika kryesore e BE-së për trajtimin e krizës klimatike. Në fjalën e saj, megjithatë, ajo theksoi forcimin e ekonomisë dhe mbrojtjes evropiane.

Në “busullën e konkurrencës”, përveç mbylljes së hendekut të inovacionit në raport me SHBA-në dhe Kinën, ajo deklaroi edhe promovimin e dekarbonizimit si dhe konkurrencën e Evropës, si dhe rritjen e sigurisë dhe sigurimin e furnizimit me lëndë të parë.

Ajo foli për forcimin e sigurisë dhe investime më të mëdha në mbrojtjen e Evropës. Ajo deklaroi se Rusia shpenzon 9 për qind të GDP-së për mbrojtjen dhe BE-ja shpenzon 1.9 për qind.

"Lufta, konflikti dhe vuajtjet njerëzore vazhdojnë të pandërprera në fqinjësinë tonë - nga Ukraina në Lindjen e Mesme dhe pjesë të Afrikës. Evropa duhet të luajë një rol më të fortë në të gjitha këto fusha. Ne duhet të rrisim shpenzimet tona të mbrojtjes, ne kemi nevojë për një treg të vetëm për mbrojtjen dhe ne duhet të forcojmë bazën tonë të industrisë së mbrojtjes”, tha ajo në një fjalim.

"Shpenzimet totale të BE-së për mbrojtjen 1999-2021 u rritën 20 për qind. Në të njëjtën periudhë, shpenzimet e mbrojtjes në Rusi u rritën 300 për qind dhe në Kinë 600 për qind. Në të njëjtën kohë, shpenzimet tona janë shumë të pabarabarta dhe të pamjaftueshme. Në pesë vjetët e ardhshëm do t'i përqendrojmë përpjekjet në ndërtimin e një bashkimi të vërtetë evropian të mbrojtjes," tha ajo më herët.

Në 100 ditët e para të mandatit të saj, ajo njoftoi prezantimin e Librit të Bardhë për të ardhmen e mbrojtjes evropiane dhe fonde më të mëdha nga Fondi Evropian për Rindërtim.

BE, për sa i përket zgjerimit, do të zbatojë reformat e nevojshme për pranimin e anëtarëve të rinj dhe përkrahjen e kandidatëve në rrugën e tyre drejt anëtarësimit, njoftoi ajo.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024