Klaus Gjasula ka marrë vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja shqiptare. Mesfushori luftarak ka biseduar me trajnerin Silvinjo dhe stafin teknik, duke i komunikuar vendimin e tij.
Gjasula numëron 29 ndeshje me Kombëtaren, duke debutuar më 7 shtator 2019 në ndeshjen Francë-Shqipëri, ndërsa ishte pjesë e Shqipërisë në Kampionatin Evropian “Gjermani 2024”, aty ku gjeti edhe rrugën e rrjetës për herë të parë me fanellën kuqezi në sfidën e paharrueshme Kroaci – Shqipëri, që përfundoi në barazim 2-2.“E kisha ëndërruar gjithmonë të luaja me Kombëtaren dhe e realizova. Isha në një Europian, shënova një gol dhe u ndjeva njeriu më i lumtur. Nëse kthej kokën pas, kam plot momente të bukura me fanellën kuqezi, që nga grumbullimi i parë, te ndeshja debutuese ndaj Francës në “Stade de France” dhe tek ajo e fundit ndaj Kroacisë në Europian. Edhe kur e mendoj tani ende dridhem nga emocionet. Gjithsesi, me ftohtësi kam gjykuar dhe kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja. Është vendimi i duhur për t’u hapur rrugën të rinjve, që Kombëtarja jonë fatmirësisht ka shumë. Unë e realizova ëndrrën time dhe tani është koha për të tjerë që ta plotësojnë dhe ta jetojnë atë ëndërr”, ka thënë Gjasula.
“Pas pesë vitesh do të kem mundësinë të vij në stadium dhe ta mbështes Kombëtaren tonë si tifoz. I jam falënderues Zotit, familjes time dhe të gjithë njerëzve që më kanë qëndruar pranë në çdo moment dhe kanë besuar tek unë.