Blerim Gashani ka nënshkruar sot një sërë memorandumesh bashkëpunimi me federata dhe organizata që promovojnë dhe zhvillojnë sportin për personat me nevoja të veçanta, duke riafirmuar angazhimin institucional për një qasje më gjithëpërfshirëse në sport në Kosovë.
Memorandumet janë nënshkruar me Federatën e Basketbollit në Karroca e Kosovës, Olimpiadën Speciale të Kosovës, Para Boccia të Kosovës, Federatën e Paravolejbollit të Kosovës dhe Sportin për të Verbër të Kosovës.
“Besoj fuqishëm se sporti duhet të jetë hapësirë e barabartë për secilin, pa dallim. Prandaj, si Ministër i Sportit dhe Rinisë, mbetem i përkushtuar që të ndërtojmë politika dhe programe që garantojnë qasje të barabartë në sport, duke promovuar përfshirjen, respektin dhe dinjitetin për të gjithë qytetarët” – shkroi Blerim Gashani në facebook.
Përmes këtij bashkëpunimi synohet fuqizimi i sportistëve, rritja e pjesëmarrjes në aktivitete sportive dhe krijimi i mundësive të reja për zhvillimin dhe avancimin e sportit për këtë kategori të shoqërisë.KosovaPress