​Konjufca: Nëse dialogu e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës, atëherë mirupafshim
Lajme
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Pikënisja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë brenda kornizës së Kushtetutës së Kosovës, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ai ka theksuar se nëse Bashkimi Evropian nuk mendon se zgjidhja për Asociacionin duhet të jetë brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të Kosovës, atëherë Kosova s’ka çka kërkon më në dialog. E nëse procesi i dialogut e ka si çmim shkatërrimin e themeleve të shtetit të Kosovës, sipas tij është më mirë të thuhet “mirupafshim nga ky proces”.

Pas takimit me homologun e tij austriak, Konjufca, tha se draft-statuti i Asociacionit, i hartuar nga ish-ekipi menaxhues krijon një republikë serbe në Kosovë.

Në konferencën e përbashkët për medie, kryeparlamentari Konjufca akuzoi Serbinë se po tenton të destabilizojë veriun e Kosovës, përmes strukturave paralele kriminale atje.

“Kurrfarë pozicioni antikushtetues nuk mundet me qenë bazë për negociata. Unë këtë mendim e kam. S’ka logjik që me u nis prej një pozicioni që nuk është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me mbërri tek Kushtetuta e Kosovës. Ashtu nuk mundesh me mbërri kurrë te Kushtetuta e Kosovës. Pikënisja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës. Bile, bile mendoj se nëse faktorët e rëndësishëm ndërkombëtar, Bashkimi Evropian nuk mendon se zgjidhja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, Kosova nuk ka çka të kërkojë në dialog më. Kurrfarë interesi nuk e ka Kosova në atë dialog. Çka kemi ne në interes ne shkatërru kushtetutshmërinë tonë, ajo shkon vetëm në dëm të interesave tona nëse është ashtu. Kosova është në dialog sepse beson në dy principe shumë. Principin e parë që dialogu është për njohje të ndërsjellët dhe tjetra se çfarëdo rregullimi dhe vetëmenaxhimi për të drejtat e serbëve është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. Pasi nëse është e kundërta, nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimin e shtetit të Kosovës, minimit të themeleve të shtetit tonë, atëherë është mirë me thënë mirupafshim. S’ka interes këtu”, tha ai.

https://kosovapress.com/admin/konjufca-kosova-ska-cka-kerkon-ne-dialog-nese-per-asociacionin-nuk-respektohet-kushtetuta/

Në anën tjetër, kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, tha se Kosova dhe Serbia duhet të kenë interpretim të njëjtë për marrëveshjen bazë të arritur në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të saj në Ohër.

Ai tha se përkundër deklaratave dhe votimit kundër të Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, marrëveshja e fasilituar nga Bashkimi Evropian nuk po zbehet, por duhet të ketë durim pasi nevojitet më shumë kohë për zbatimin e plotë të saj.

Megjithatë, Sobotka përmendi si zgjidhje për Asociacionin edhe Tirolin Jugor, i cili sipas tij ka treguar se mund të arrihet një zgjidhje kompromisi.

Ndryshe, Tiroli Jugor është provincë autonome në veri të Italisë që kufizohet me Austrinë dhe e populluar nga gjermanfolës. Shkalla e lartë e autonomisë për këtë regjion që përbëhet nga 115 komuna, e shndërron atë në de fakto, krahinë autonome.

Krahas kësaj, dy kryeparlamentarët Konjufca dhe Sobotka morën pjesë edhe në “Punëtorinë për Demokraci – DEMOS-ti”, ku bashkëbiseduan me nxënës filloristë, në hollin e Kuvendit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024