Kadri Veseli feston ditëlindjen
Lexohet për: 5 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Kadri Veseli feston sot ditëlindjen e tij të 57-të. Ai u lind më 31 maj 1967 në Mitrovicë. Shkollimin fillor e kreu në shkollën “Ismail Qemali” në Bair të Mitrovicës. Dy vite të shkollës së mesme i kreu në Gjimnazin e Orientuar të Mitrovicës, kurse tri vite të tjera në shkollën Ekonomike në Zveçan.

Kadri Veseli është një nga figurat qendrore politike të lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në kapërcyellin kohor mbi njëzetvjeçar.

Si njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila me shumë sukses e futi çështjen e Kosovës në agjendat politike të fuqive të mëdha dhe NATO-s më 1998 dhe 1999, ai sot ballafaqohet me disa akuza për gjoja krime lufte.

Në vitin 1990 filloi studimet në Prishtinë, në Fakultetin e Bujqësisë, si dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike, Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.

Për shkak të rrethanave politike që do të ndodhin më vonë dhe kushteve që impononte okupimi klasik serb, Kadri Veseli detyrohet që pjesën e mbetur të studimeve nga Universiteti i Prishtinës, ta vazhdojë në Universitetin e Tiranës, në Degën e Agronomisë. Ndërkaq, në rrethanat e lirisë së Kosovës (pas vitit 1999), ai ka vazhduar formimin e tij profesional në MBA in General Management.

Aktivitetin atdhetar dhe politik e nisi si student më 1988-1989, në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK-më vonë LPK) duke u bërë njëri prej organizatorëve të protestave dhe demonstratave në atë kohë kundër sistemit serb dhe jugosllav që ushtronte dhunë mbi popullin shqiptar.

Në vitin 1981 regjimi komunist jugosllav ia burgosi dy vëllezërit dhe djalin e axhës së tij, për shkak të veprimtarisë së tyre politike. Në vitin 1990, në kohën kur sapo kishte nisur studimet në Prishtinë, bashkë me Hashim Thaçin, bien në kontakt me udhëheqësin e atëhershëm të Ilegales (LPRK), Afrim Zhitia, prej të cilit marrin ide dhe premisa rreth organizimit politik për jetësimin e lirisë e pavarësisë së Kosovës.

Më 1991 ai kalon ilegalisht në Shqipëri me mision të organizatës që kishte si qëllim zgjerimin dhe intensifikimin e veprimeve politike. Të shtyrë nga nevoja për ta ndryshuar gjendjen e padurueshme nën okupimin serb, filluan të ndërtonin projektin konkret për çlirimin e Kosovës, duke ngritur kapacitete të natyrës luftarake. Në Tiranë njihet dhe punon me njerëz nga të gjitha anët e Shqipërisë, të cilët shprehin gatishmërinë të vihen në shërbim të çështjes kombëtare përmes ofrimit të infrastrukturës që posedonin, përfshirë këtu ato nga strukturat e Ushtrisë shqiptare.

Në Tiranë takohet edhe me Grupin e Prekazit me në krye komandantin Adem Jashari dhe bashkë me të realizojnë aksionet e para të armatosura kundër policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë. Në mars 1993, bashkë me disa veprimtarë në Odën e Jasharëve në Prekaz, merr pjesë në një mbledhje të thirrur nga komandanti legjendar Adem Jashari, dhe ky takim mund të konsiderohet si dita e themelimit zyrtar të UÇK-së.

Prej vitit 1993 deri më 1998, Kadri Veseli bashkërendon aktivitetet rreth luftës së armatosur që nga Zvicra, Shqipëria, zona e Dukagjinit, Drenica, Pashtriku etj. Pas rënies së Jasharëve në mars 1998, UÇK-ja fiton një mbështetje të madhe në popull dhe kështu – në fund të pranverës dhe gjatë verës së atij viti – ajo masovizohet gati në të gjitha rajonet e Kosovës. Gjatë kësaj kohe, Kadri Veseli, bashkë me anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, punojnë në strukturimin e njësiteve dhe formacioneve ushtarake nëpër të gjitha zonat operative.

Në këtë kohë ai emërohet komandat i Shërbimit të Zbulim Kundërzbulimit (G-2) të UÇK-së, përgjegjësi të cilën do ta ushtrojë me shumë sukses deri në përfundim të luftës. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi forcat ushtarake të Serbisë (24 mars 1999), ai me njësitet e tij të ZKZ-së do të jetë burimi i vetëm i informacionit për lëvizjen dhe ndodhjen e forcave ushtarake serbe në territorin e Kosovës.

Pas çlirimit të Kosovës (12 qershor 1999), krahas njësiteve të tjera të UÇK-së edhe shërbimi i Zbulim Kundërzbulimit (G-2), vendoset në Prishtinë për ta vazhduar misionin në rrethana të reja. Në kushtet e paqes shërbimi ushtarak i Zbulim Kundërzbulimit doemos duhej të transformohej në shërbim të inteligjencës. Mund të thuhet se Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) është formacioni i fundit i UÇK-së, (pas Trupave Mbrojtëse të Kosovës), i cili u shua vetëm pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008.

Në fund të 2012, Kadri Veseli anëtarësohet në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke iu nënshtruar procedurave demokratike të zgjedhjeve dhe në Konventën VI të PDK-së më 27 janar 2013 ai mori votat e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm për t’u bërë zëvendëskryetar u kësaj partie. Më pas, ai shërbeu edhe si kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 7 maj 2016, Kadri Veseli u zgjodh kryetar i PDK-së në Konventën e shtatë zgjedhor të kësaj partie. Ai aktualisht po akuzohet në Gjykatën Speciale, ku është deklaruar si i pafajshëm, derisa procesi po vazhdon.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024