Hoffenheimi ka vendosur ta sigurojë të ardhmen afatgjatë të mesfushorit kosovar Leon Avdullahu, duke i ofruar kontratë të re që e mban në klubin gjerman deri në vitin 2031. Ky vendim vjen pas paraqitjeve të mira të lojtarit 22-vjeçar, i cili brenda një kohe të shkurtër është shndërruar në një prej elementeve kryesore të mesfushës së ekipit.
Në të njëjtën linjë, klubi gjerman ka vazhduar së fundmi kontratën edhe me mbrojtësin tjetër kosovar Albian Hajdari, duke forcuar më tej praninë e futbollistëve dardanë në skuadër. Hoffenheim ka synim të ruajë bërthamën e lojtarëve të rinj që konsiderohen pjesë e rëndësishme e projektit afatgjatë sportiv.
Edhe vetë mesfushori kosovar është shprehur i kënaqur me vazhdimin e bashkëpunimit, duke theksuar se ndihet pjesë e rëndësishme e projektit të klubit dhe synon të kontribuojë në sukseset e ardhshme të Hoffenheimit.
Avdullahu iu bashkua klubit gjerman në verën e vitit 2025 nga Basel dhe brenda këtij sezoni ka regjistruar 31 paraqitje, duke rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg, e cila aktualisht vlerësohet rreth 25 milionë euro.