Haxhiu lavdëron kickboksierët për suksesin e fundit
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Haxhiu lavdëron kickboksierët për suksesin e fundit
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka pritur sot në takim Federatën e Kickbox-it të Kosovës.
Në këtë takim, U.D. Presidentja Haxhiu foli se si Kosova u paraqit me sukses në Turkish WAKO World Cup në Antalya, një nga garat më të mëdha ndërkombëtare të kick box-it, me rreth 3 mijë garues nga mbi 40 shtete.
“Sot, në shenjë vlerësimi institucional, ndava mirënjohje për Federatën e Kickbox-it të Kosovës, për medalistët Art Dulaj, Artor Mehmeti dhe Nart Mehmeti, si dhe për sportistët që përfaqësuan Republikën e Kosovës në këtë garë” – theksoi Haxhiu.
Më tutje, Haxhiu, thekson suksesin e sportisteve të cilët morën pjesë në këtë garë ndërkombëtare të kick box-it.
“Kosova u përfaqësua denjësisht edhe në referim, përmes Albin Musës, pjesë e panelit ndërkombëtar të gjyqtarëve. Mirënjohje edhe për Kryetarin Fatmir Makolli, si dhe për selektorët Nesret Salihaj dhe Ilir Menxhiqi, për drejtimin dhe punën me sportistët tanë” – ka thënë Haxhiu.
Sipas Haxhiut, nga garuesi te trajneri, nga gjyqtari te federata, ky sukses dëshmon se përfaqësimi dinjitoz i Kosovës ndërtohet me disiplinë, përkushtim dhe punë të përbashkët.
KosovaPress