Federata e Taekwondo-së e Kosovës ka dënuar ashpër veprimin e trajnerit Valmir Fetiu i cili goditi me shuplakë garuesen Valina Fetiu e cila njëkohësisht është edhe vajza e tij në Kampionatin Evropian për Kadetë dhe Fëmijë të mbajtur në Tiranë.
Fetiu menjëherë pas këtij incidenti është dënuar me gjashtë muaj pezullim nga të gjitha aktivitete sportive nga Federata Evropiane e Taekwondos dhe këtë vendim e ka mbështetur edhe Federata e Taekwondo-së e Kosovës.
Me datë 7-10 nëntor 2024, Federata e Taekwondo-së e Kosovës mori pjesë në Kampionatin Evropian për Kadetë dhe Fëmijë të mbajtur në Tiranë, Shqipëri. Ekipi i Kosovës u përfaqësua nga 12 sportistë të rinj që shfaqën përkushtim, disiplinë dhe aftësi të shkëlqyera në një event evropian kaq të rëndësishëm.
Një nga përfaqesueset e ekipit të Kosoves ishte edhe sportistja Valina Fetiu e cila arriti të shpallet nënkampione në kategorinë e saj.Duke punuar dhe shpresuar që raste si ky, dhe raste tjera të ngjashme të mos përsëriten më, FTËK dënon ashpër veprime të tilla dhe zotohet se gjithmonë do të marrë masa ndaj këtyre dukurive.
Ndërsa garuesen Valina Fetiu dhe të gjithë sportistët tanë Federata do ti mbeshtesë në të gjitha garat dhe proceset sportive në vijim, dhe jemi të bindur që do sjellin shumë suksese dhe medalje për shtetin tonë.