Më 18 dhe 19 shtator, po mbahet në Nju Jork, Forumi i Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm, i njohur si Samiti për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, ku marrin pjesë kryetarët e shteteve/qeverive të vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë në këtë takim të nivelit të lartë, që i parapriu nisjes së Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.Begaj, mbajti sot, një fjalë në emër të Shqipërisë, në ditën e parë të samitit, gjatë Segmentit të Dialogut të Udhëheqësve me temë “Forcimi i politikave të integruara dhe institucioneve publike për arritjen e OZHQ-ve”.
Presidenti shqiptar u shpreh se “ Zhvillimi i qëndrueshëm është garancia më e fortë për një botë të karakterizuar nga paqja e Stabiliteti”.Presidenti Begaj u ndal në hapat e ndërmarra nga Shqipëria në kontekstin e zbatimit të OZHQ-ve, ku veçoi miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të rezolutës që përvijon angazhimet tona për të promovuar, financuar dhe monitoruar realizimin e OZHQ-ve, si pjesë e rrugëtimit drejt integrimit në BE, krijimin e Fondit të Përshpejtimit të OZHQ-ve, të financuar kryesisht nga qeveria, por edhe nga aktorë e partnerë joqeveritarë.
Ai tha se duhen intensifikuar përpjekjet për t’i dhënë një shtysë implementimit të Agjendës 2030.