Armëmbajtja pa leje, faktorët socio-ekonomikë dhe mënyra e jetesës janë disa prej shkaqeve që shtyjnë në kryerjen e vrasjeve, thotë njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.
Islami thotë për KosovaPress se shteti ka nevojë për një strategji të re, pasi “mekanizmat represivë janë të pamjaftueshëm për të luftuar numrin e lartë të vrasjeve”.
Ndër të tjera, thotë ai, duhet të ketë vetëdijesim të qytetarëve e ligjërata në shkolla, shkruan KosovaPress.
“Institucionet e Kosovës duhet të mendojnë të ndryshojnë strategji, që përmes vetëdijesimit të qytetarëve, përmes vetëdijesimit të familjeve, shkollave, organizatave joqeveritare, vet institucionet të shfrytëzojnë median e shkruar dhe elektronike që të bëhet vetëdijesimi në shkallë vendi. Kosovës i duhet një strategji nga ana e institucioneve të Kosovës, sepse me mekanizma represiv është e pamundur që të parandalohen ose zvogëlohet minimalisht numri i vrasje në Kosovë. Sepse Kosova ka rreth 10 mijë policë në shkallë vendi, është e pamundur që në secilin vend ku ndodh një rast i tillë të jetë një polic”, thotë Islami.
Një tjetër shqetësim që ngrit Islami janë armëmbajtjet pa leje.
Megjithatë, Islami thotë se armëmbajtja pa leje është vetëm një nga shkaqet, pasi “faktorët socio-ekonomikë dhe mënyra e jetesës kanë ndikim të madh në përdorimin e armëve”.
“Armëmbajtja pa leje është vetëm një nga shkaqet, sepse ndikojnë shumë faktorë, faktorët socio-ekonomik dhe mënyra e jetesës”, shprehet Islami.
Islami gjithashtu përmend rëndësinë e konfiskimit të armëve të paligjshme.
Policia e Kosovës tha të mërkurën për KosovaPress se vetëm gjatë vitit 2024 janë konfiskuar 1746 armë, ndërkaq një vit më herët numri ishte 1392 armë.
Vetëm në tre ditët e fundit kanë ndodhur katër vrasje - në tri raste të ndara - si pasojë e të shtënave me armë zjarri, shkruan KosovaPress.
Të dielën më 23 mars në Vushtrri ka vdekur një 19-vjeçar i cili dyshohet të jetë vrarë nga një bashkëmoshatar i tij. I dyshuari e ka pranuar fajësinë dhe ndodhet në paraburgim.
Një tjetër vrasje – kjo e dyfishtë – ka ndodhur një ditë më vonë, më 24 mars, gjithashtu në Vushtrri. Lidhur me ketë rast, dyshohet se një burrë në fshatin Stanoc ka vrarë një grua e më pas vetën.
Vrasja tjetër ka ndodhur të martën mbrëma, më 25 mars në Prishtinë, transmeton KosovaPress. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën “Rrustem Hyseni”. Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur. I dyshuari për këtë rast ndodhet në arrati.
Pas këtyre rasteve, në Kosovë pati reagime.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha të mërkurën duhet të ketë veprim të menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror, derisa theksoi se organet e rendit duhet të trajtojnë me seriozitet rastet dhe të sigurojnë drejtësi për viktimat.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi paralajmëroi se PDK, në legjislaturën e re, pas konsolidimit të institucioneve dhe qeverisë së re, do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal dhe legjislacionit përkatës për të ashpërsuar dënimet për armëmbajtjen pa leje.
E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se “dora e shtetit duhet të ndihet, para së gjithash, në sigurimin e rendit dhe qetësisë”./E.Krasniqi
Lexo edhe: