Vizita e Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Kosovë është jashtëzakonisht e rëndësishme, për shkak se u zhvillua në një kohë të tronditjeve të mëdha politike dhe e njëjta rikonfirmon përkushtimin serioz të Aleancës për siguri në Kosovë.
Kështu thotë drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride "Octopus”, Arben Fetoshi derisa thekson se shefi i NATO-s riafirmoi “vullnetin e palëkundur që nëpërmjet misionit të KFOR-it të garantojë paqen dhe stabilitetin”, shkruan KosovaPress.
"Vizita e sekretarit Rutte, në Sarajevë dhe Prishtinë, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Për shkak se, e para, zhvillohet në një kohë të tronditjeve të mëdha gjeopolitike. Dhe e dyta, për shkak se mesazhet e tij rikonfirmojnë përkushtimin serioz dhe të palëkundur të Aleancës Veriatlantike, për paqen dhe sigurinë edhe në Bosnje edhe në Kosovë. Si dy pikat më problematike, duke pasur parasysh rolin destruktiv të Beogradit zyrtar dhe angazhimin e vazhdueshëm secesionist të Milorad Dodikut nga Republika Sërpska. Në këtë kuptim, mendoj që edhe në Prishtinë, zotëri Rutte riafirmoi vullnetin e palëkundur të NATO-s nëpërmjet misionit të KFOR-it këtu, të garantojë paqen dhe stabilitetin duke u shprehur i qartë që nuk mund të lejohet kthim në vitet e '90-ta”, thotë Fetoshi.
Rutte qëndroi në Kosovë pas një vizite që e zhvilloi në Bosnje e Hercegovinë.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte tha të martën se do të vazhdojnë të mbështesin procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, raporton KosovaPress.
"Për ta shtyrë përpara këtë dialog, të dyja palët duhet të bëjnë kompromise. Kjo kërkon vendime të vështira, normalizomi sjell stabilitet më të madh dhe siguri me afatgjatë për gjithë rajonin. Ky është mesazhi që unë do të vazhdojë te theksojë para të gjitha palëve në rajon", tha Rutte të martën në konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai shtoi se zgjidhja për një paqe afatgjatë është politike.
"Prania e sotme këtu është një demonstrim i qartë i përkushtimit për siguri afatgjatë në Kosovë. NATO ka mbështetur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ekipet e ndërlidhjes së KFOR-it vazhdojnë të mbështesin institucionet e tjera të sigurisë. Një rajon më i sigurt nënkupton më shumë siguri për zonën e NATO-s. NATO do të vazhdojë të luaj rolin e vet, këtë e bëjmë në bashkërendim me Policinë dhe Eulexin", tha ai, transmeton KosovaPress.
Pas takimit me Osmanin, Rutte u prit në takim edhe nga kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti./Z.Zeneli
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim
Të dhënat e reja tregojnë se dëshira e qytetarëve gjermanë për të udhëtuar mbetet e pandryshuar, pavarësisht krizës. Por më shpesh merren parasysh çmimet, ndaj përfitojnë vendet si Tunizia, Bullgaria dhe Shqipëria.
Pasioni i gjermanëve për udhëtimet nuk është ulur as në kohët më të vështira ekonomike. “Pavarësisht të gjitha sfidave ekonomike dhe gjeopolitike – gjermanët po udhëtojnë! Pushimet duket se janë gjëja e fundit për të cilën ata janë të gatshëm të kursejnë,” thotë presidenti i Shoqatës Gjermane të Agjencive të Udhëtimit (DRV), Norbert Fiebig, shkruan DW.
Të ardhurat totale nga sezoni veror, i cili zgjat nga maji deri në tetor 2024, është rritur me 12 për qind në krahasim me vitin e kaluar, sipas të dhënave të DRV. Numri i pasagjerëve u rrit me gjashtë për qind. Për të gjithë vitin turistik, nga nëntori 2024 deri në tetor 2025, DRV parashikon rritje të të ardhurave prej 11 për qind dhe katër për qind më shumë pasagjerë.
Përveç kësaj, qytetarët gjermanë po prenotojnë pushimet e tyre verore më herët. “Rezervimi i hershëm është i preferuar,” thekson Fiebig për trendin në ndryshim.
Gjermanët po shpenzojnë më shumë se kurrë më parë për udhëtime.
Gjermanët kanë shpenzuar tashmë shuma rekord për udhëtime vitin e kaluar, sipas analizave të institutit YouGov DRV. 83.4 miliardë euro janë shpenzuar për udhëtime të rezervuara paraprakisht, që është 5.6 për qind më shumë se një vit më parë.
Rritjen më të madhe këtë verë e shënojnë paketat për vendet e Mesdheut Lindor dhe udhëtimet në distanca të gjata. Sipas të dhënave të DRV, numri i rezervimeve të paketave për pushime është rritur me gjashtë për qind. Ndërsa destinacioni më i preferuar është Turqia, me të ardhura rreth 1.2 miliardë euro.
Përveç vendeve klasike të pushimeve si Spanja (gjithashtu rreth 1.2 miliardë euro të ardhura) dhe Greqia (1 miliard euro), në dhjetëshen e parë përfshihen gjithashtu destinacione më të përballueshme si Tunizia, Bullgaria dhe Egjipti.
“Në kohë sfiduese ekonomike, paratë nuk shpenzohen aq lehtë – de kjo reflektohet në zgjedhjen e destinacioneve të udhëtimit”, tha Fiebig.
Sipas DRV, një nga destinacionet më të preferuara të mundshme të këtij viti është Shqipëria, që ishte edhe vend partner I panairit ITB, në Berlin. Shqipëria ka shënuar normën më të lartë të rritjes për verën, prej 36 për qind. Megjithatë, krahasuar me vendet e tjera të Mesdheut, të ardhurat totale nga turizmi me këtë vend mbeten relativisht të ulëta.
Të dhënat bazohen në të ardhurat e agjencive tradicionale të udhëtimit dhe platformave të operatorëve turistikë online. Janë marrë parasysh të gjitha rezervimet deri në fund të janarit 2025, ndërsa nuk janë përfshirë rezervimet përmes call center, Booking dhe Airbnb, transmeton DW.
Trendi i qëndrueshmërisë, në të cilin vendet turistike, përfshirë Kroacinë, kanë investuar shumë energji në vitet e fundit, duket se nuk luan ndonjë rol. “Vetëm një e pesta e turistëve janë të gatshëm të paguajnë më shumë për një udhëtim bazuar në parimin e qëndrueshmërisë”, sipas një studimi nga Klubi gjerman i automobilave ADAC, i publikuar në fillim të ITB.