Partia Demokratike e Kosovës, sonte kërkoi dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit.
Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda deklaroi se zhdukja e mostrave është përgjegjësi direkte e ministres Haxhiu.
“Partia Demokratike e Kosovës ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe deklaratat e ministres së Drejtësisë, zonjës Albulena Haxhiu mbi zhdukjen e mostrave për rastin Dehari në Institutin e Mjekësisë Ligjore, pranë Ministrisë së Drejtësisë. Zhdukja e këtyre mostrave është përgjegjësi direkte e ministres Albulena Haxhiu, e cila drejton Ministrinë e Drejtësisë, ku ndodhet edhe ky institut. PDK kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si përgjegjëse kryesore dhe drejtuese e Ministrisë së Drejtësisë, pranë së cilës funksionon edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku janë zhdukur këto mostra. Ministrat nuk janë drejtues të ministrive për të raportuar skandalet, por janë aty që të sigurohen dhe të bëjnë gjithçka që puna brenda ministrive të tyre të jetë e ligjshme, të jetë e drejtë dhe të mbrohet nga çdolloj abuzimi, keqpërdorimi ose mashtrimi.”, tha ai.
Gruda u shpreh se rasti Dehari është rast jashtëzakonisht tragjik dhe se zbardhja e të cilit deri në detajin e fundit është obligim shtetëror, për të cilin është kërkuar që të punohet në vazhdimësi.
Sipas Grudës, Lëvizja Vetëvendosje s’ka pasur qëllim ta zbardhë të vërtetën e vdekjes së Astrit Deharit, por ta përdorë për çështje politike.
“Për ne ka qenë e qartë që nga fillimi se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur për qëllim asnjëherë që të zbardhë të vërtetën e këtij rasti, por ta përdorë atë për betejat e saj politike. Fatkeqësisht përdorimi politik i këtij rasti po vazhdon edhe tani kur ata janë në pushtet dhe kanë të gjitha mekanizmat shtetëror në duart e tyre për të zbardhur deri në fund të vërtetën e këtij rasti tragjik. Pas më shumë se dy viteve qeverisje kemi 0 avancim në rastin Dehari. Ne dyshojmë se ministrja e Drejtësisë, duke dashur të mbulojë paaftësinë e saj por edhe paramundësinë e sigurimit të fakteve dhe provave të pamohueshme që dëshmojnë një të vërtetë tjetër në lidhje me këtë rast, po manipulon provat dhe po manipulon këtë situatë nëpërmjet zhdukjes së mostrave brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore.”, tha ai.
Gruda e akuzoi Qeverinë për kapje të institucioneve dhe u shpreh se tani ka kapur edhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Mostrat e humbura aty, në rastin Dehari janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë dhe e pamohueshme e ministres së Drejtësisë. Po e përsë dhe e pamohueshme e ministres së Drejtësisë. Po e përsërisë edhe një herë, dorëheqja e ministres së drejtësisë është minimumi që duhet të bëhet në këtë rast për t’i hapur rrugë një procesi të pavarur dhe të drejtë të hetimit për zbardhjen e së vërtetës deri në fund mbi zhdukjen e mostrave në një mënyrë të pashpjegueshme. Pytja që duhet t’i shtrohet ministres së Drejtësisë është kjo: Si ka mundësi që në një institucion që ju e drejtoni brenda tij, e keni neglizhuar edhe e keni lejuar që të zhduken provat kaq kruciale, mostrat, të cilat do të shërbenin si prova, kaq kruciale për të zbardhur një rast kaq tragjik siç është rasti Dehari”, deklaroi ai.
Gruda shtoi se zbardhja e rastit Dehari, po vërtetohet se nuk ka qenë asnjëherë prioritet dhe angazhim i ministres Albulena Haxhiu, por siç shtoi ai, që ka qenë vetëm manipulim dhe përdorim politik i një rasti tragjik për të zhvilliuar beteja politike.
Ndryshe, sot ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, që kanë qenë në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Siç ka thënë Haxhiu, ajo është njoftuar mbrëmë dhe më pas ka njoftuar kryeprokurorin e shtetit dhe ushtruesin e detyrës së Policisë së Kosovës. Në konferencë të jashtëzakonshme për media, Haxhiu ka deklaruar se në laboratorin ku ruhen epruvetat kanë qasje vetëm tre persona, për të cilët ka thënë se i di emrat. Po ashtu, ajo ka theksuar se gjatë ditës pritet të ketë suspendime, bazuar në kërkesën e dërguar ndaj Institutit të Mjekësisë Ligjore.