Ukraina e ka akuzuar Moskën për “luftë gazi” kundër Evropës, si dhe për ndalje të furnizimeve për të nxitur "terror” ndaj njerëzve.
Kompania ruse e energjisë, Gazprom, ka bërë të ditur se do t'i zvogëlojë furnizimet me gaz në Gjermani, për shkak të punimeve në një turbinë në Rrjedhën Veriore 1. Mirëpo, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se kjo gjë përbën vetëm shantazh me gaz kundër Evropës, raporton REL.Dërgesat kanë rinisur pesë ditë më parë – ndonëse me kapacitet të zvogëluar. Mirëpo, të hënën, Gazprom-i ka thënë se do t'i ndalë furnizimet edhe një herë. Këtë herë kompania ka thënë se i duhet të ndalë furnizimet gati përgjysmë, në mënyrë që t'i kryejë punimet. Megjithatë, Qeveria gjermane ka thënë se nuk ka arsye teknike për të kufizuar furnizimet.
“Shantazhi me gaz në Evropë, që vetëm sa shkon e përkeqësohet çdo muaj, është i nevojshëm për shtetin terrorist në mënyrë që të vështirësojë jetën e çdo evropiani”, ka thënë Zelensky në adresimin e tij ditor.
Bashkimi Evropian, i cili ka siguruar 40 për qind të gazit nga Rusia vitin e kaluar, e ka akuzuar Rusinë edhe për përdorim të energjisë si armë. Lajmi për një tjetër zvogëlim të sasisë së gazit rrit presionin ndaj shteteve të BE-së që të ulin varësinë e tyre ndaj gazit rus.
Ky vendim, po ashtu, ua bën atyre edhe më të vështirë sigurimin e gazit për muajt e dimrit. Ministrat evropianë të Energjisë do të takohen të martën në Bruksel, ku pritet të arrijnë pajtueshmëri për një përgjigje të përbashkët ndaj krizës.
Ndonëse disa shtete i kanë rezistuar planit, presioni në BE për të arritur marrëveshje është i lartë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë më herët se ekziston mundësia që Rusia të ndalë plotësisht gazin për bllokun evropian.
Shefja e BE-së për Politika të Energjisë, Kadri Simson, ka kritikuar njoftimin e Gazpromit. “Ne e dimë se nuk ka arsye teknike për të vepruar kështu. Ky është hap i motivuar politikisht dhe ne duhet të jemi gati për këtë gjë. Pikërisht për këtë gjë, kërkesa jonë parandaluese për zvogëlim të përdorimit është strategji e mençur”, ka thënë Simon, pasi ka arritur të martën në Bruksel.
Vendimi i Gazpromit “është një dëshmi shtesë, se ne duhet të marrim lojën në duart tona dhe duhet të ulim varësinë në furnizimet ruse, sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë ai. Republika Çeke udhëheq presidencën e BE-së në gjashtë muajt e ardhshëm.
Prej nisjes së luftës në Ukrainë, nga ana e Rusisë, më 24 shkurt, çmimi i gazit është rritur dhe ky konflikt ka pasur ndikim në faturat e energjisë në gjithë botën.
Ndërkohë, Ukraina ende shpreson që marrëveshja e arritur me Rusinë, nën ndërmjetësim të Kombeve të Bashkuara, do të nënkuptojë që eksportet e grurit të rinisin nga portet e Detit të Zi “brenda ditësh”.
“Nëse palët garantojnë siguri, marrëveshja do të zbatohet. Nëse jo, nuk do të zbatohet”, ka thënë ministri ukrainas i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov.
Komentet e tij pasuan shqetësimet se marrëveshja mund të dështojë, meqë Rusia ka shënjestruar portin kyç të Ukrainës, Odesan, me raketa, ditën e shtunë. Rreth 20 milionë tonë të grurit janë bllokuar në Ukrainë, në pamundësi për t’u bartur, sepse marina ruse kontrollon pjesën më të madhe të Detit të Zi./REL/