Filatelia e Postës së Kosovës, sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e pullave postare të titulluar “Nga Trashëgimia – Xhubleta”, e cila u përfshi në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në nevojë për mbrojtje urgjente nga UNESCO në vitin 2022.
Filatelia e Postës së Kosovës, kësaj radhe nga thesari i etnologjisë sjell imazhin e bukur të Xhubletës në pulla postare, përmes të cilave, siç u potencua, do të promovojë kudo nëpër botë vlerat e trashëgimisë kulturore dhe materiale të pafundme që ka Kosova.
Në shek. XVIII xhubleta ishte bërë me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: e zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinet, xhoka, kërdhokulla, paraniku, kallmat e shputat, etj. Xhubleta është një fund në trajtë kambane, që vjen e valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e prapme.
Xhubleta e Malësisë së Madhe është trashëgimi e qartë e kulturës sonë Iliriane, nëpërmjet së cilës ne paraqesim historinë e humbur të kombit tonë që malësorët tanë e kanë përcjellur deri në vitet 1950 -1960, pra është e vetmja që jep identitetin e kombit shqiptar nëpërmjet motiveve, ku emblema më e dukshme për të gjitha është shqiponja.