Me rreth 1.500 vota më shumë sesa rivali, Vangjel Tavo siguroi të hënën fitoren për garën e kryebashkiakut të Himarës.
Numërimi i votave përfundoi herët në mëngjes në të 36 qendrat e votimit, të cilat dolën me rezultatin 5.022 vota (58.62%) për Tavon kundrejt 3.545 (41.38%) votave që shkuan për kandidatin opozitar Petraq Gjikuria.
"Sot fitoi Himara, fituan himarjotët. Dua të falënderoj banorët e njësisë të bashkisë Himarë, Hore Vranisht, Lukovë, për besimin që patën duke na votuar në mënyrë plebishitare vazhdimësinë e mandatit të vitit 2023. Që sot fillojmë punën për të gjitha ato që kishim premtuar banorëve. Që sot, të bashkuar të gjithë, të majtë e të djathtë, përtej besimit të gjithsecilit, të gjithë për Himarën e bashkuar, të qetë, pa probleme, pa kriza, të gjithë për bashkëjetesën, për të bashkuar të gjitha realitetet në këtë bashki" tha Tavo.
Në krye të bashkisë, socialisti ka premtuar se do të shohë me prioritet zhvillimin e turizmit në zonë, përpos problematikave të tjera që shqetësojnë banorët.
"Oferta ka qenë e sinqertë dhe vazhdon të jetë e tillë: z. Gjikuria nëse nuk largohet në Amerikë është i mirëpritur të jetë nënkryetar i Bashkisë. Bashkia ka nevojë për të gjithë, problemet nuk kanë ngjyrë, as Himara dhe kështu do të vazhdojmë të drejtojmë bashkinë e Himarës," deklaroi Tavo.
Zgjedhjet në Himarë erdhën pasi KQZ-ja i hoqi mandatin ish-kryetarit të zgjedhur Fredi Beleri.
Pjesëmarrja në fund të ditës arriti 37,61%, më e lartë sesa në zgjedhjet e 14 majit 2023 me më shumë se 3 për qind. 8.678 nga 23.074 votues gjithsej iu drejtuan qendrave të votimit./rtsh.al/