Ushtria iraniane: Nuk nisëm raketë ndaj Turqisë, e kemi vend mik
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Ushtria iraniane: Nuk nisëm raketë ndaj Turqisë, e kemi vend mik
raketa iraniane
05/03/2026 - 09:26
Linku u kopjua

Forcat e Armatosura të Iranit kanë mohuar se kanë lëshuar ndonjë raketë drejt territorit turk, duke këmbëngulur se Irani respekton sovranitetin e Turqisë, thuhet në një deklaratë të transmetuar nga mediat shtetërore.

“Forcat e Armatosura të Republikës Islamike të Iranit respektojnë sovranitetin e vendit fqinj dhe mik, Turqinë, dhe mohojnë çdo lëshim rakete drejt territorit turk”, thuhet në një njoftim të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, transmetuar nga agjencia e lajmeve Irna, përcjellë KosovaPress

Kjo deklaratë vjen pasi Ministria turke e Mbrojtjes e Turqisë tha të mërkurën se një raketë balistike e lëshuar nga Irani drejt hapësirës ajrore turke, u shkatërrua nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s mbi Mesdheun lindor, pasi kishte kaluar mbi Siri dhe Irak

Nuk ishte e qartë se ku ishte drejtuar raketa.

“Një municion balistik i lëshuar nga Irani, i cili u zbulua duke kaluar përmes hapësirës ajrore të Irakut dhe Sirisë dhe duke u drejtuar drejt hapësirës ajrore turke, u neutralizua në kohë nga asetet e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s të vendosura në Mesdheun lindor dhe u bë i padëmshëm”, u than ë një deklaratë të ministrisë nga Ankara, e cila konfirmoi se nuk pati viktima apo të lënduar.

E njëjta shtoi  se Ankaraja rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur çdo veprimi armiqësor ndaj saj, ndërsa paralajmëroi palët që të përmbahen nga përshkallëzimi i konfliktit.

Në një fjalim në mbrëmje drejtuar kombit, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se vendi po “merr të gjitha masat e nevojshme” në konsultim me aleatët e tij në NATO dhe po jep “paralajmërimet më të qarta për të parandaluar që incidente të ngjashme të ndodhin përsëri”.

“Nëse ne, si komb, duam të jetojmë në paqe dhe qetësi… duhet të rrisim vazhdimisht aftësitë tona parandaluese. Në këto kohë të vështira… nuk po lëmë absolutisht asgjë në dorë të rastësisë sa i përket sigurisë së kufijve dhe hapësirës sonë ajrore”, tha ai, transmeton Al Jazeera.

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan të mërkurën, në një telefonatë me homologun e tij iranian, i përcolli atij protestën e Ankarasë, raportoi agjencia e lajmeve Reuters. /KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026