Urtësia që ndriçon rrugët tona
Lexohet për: 9 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

1.

Ne, si shoqëri, i kujtojmë ata shumë rrallë, ose madje fare. Në ndonjë rast kjo mund të ndodhë, në ndonjë përvjetor  të vdekjes së tyre, kur nxitimthi nga dikush, mbahet ndonjë fjalim i shkruar me shpejtësi, vendoset ndonjë buqetë me lule, apo bëhen fotografi e xhirime, sikurse ky të ishte qëllimi parësor. E në fakt, qëllimi kryesor do të duhej të ishte përkujtimi i veprës së tyre jetësore, të cilën ata nuk e bënë vetëm për veten e tyre. Të përkujtosh veprën e tyre do të thotë të kontaktosh dijen, përvojën dhe mençurinë e tyre të thellë, e cila është aty përherë, thuajse duke të grishur, dhe përdorimi i saj, në zgjidhjen e problemeve për të mirën e përgjithshme, çka ishte edhe synimi i tyre. Sukseset dhe prosperiteti i shteteve të zhvilluara, ndër të tjera konsiston, edhe në përkujtimin aktiv që u bëjnë personaliteteve kyçe të tyre, dhe ndjekjen e  këshillave e mësimeve të tyre. Sepse, puna e një njeriu të mençur, do të thotë, jo vetëm zhvillim, por edhe shpëtim për një komb.

Se si trajtohen korifejtë e mendimit, dhe personalitetet e njohura te shqiptarët është e njohur. Në vend të përkujtimit të jetës dhe veprës se tyre, fatkeqësisht, ka një tendencë aktive për t’i harruar ata. Dhe, njeriu e zen veten duke menduar dëshpërueshëm, ah, sikur të ishte kjo bile vetëm një harresë!

Këto gjëra mendoja, teksa po lexoja një analizë të Arbën Xhaferit, të njeriut tonë të mirë, mendimtarit të shquar dhe patriotit të madh, të politikanit brilant që kombin shqiptar mbi të gjitha, e donte të fuqishëm në politikë. Një analizë, që edhe pse e shkruar para gati dy dekadave, duket sikur të ishte shkruar sot. Sot, kur me tërheqjet e serbëve nga institucionet e Republikës së Kosovës, vazhdon lufta e parreshtur e Serbisë, për të dëmtuar e destablizuar shtetin tonë, përmes kurthave e grackave të llojllojshme.

2.

Këndej e andej kufirit, na bie shpesh të dëgjojmë, të flitet për projekte strategjike, bile  me një lehtësi gati të padurueshme. Sepse, pothuajse pa kurrfarë kriteri, i jipet epiteti ‘strategjik’ edhe gjërave që fare nuk kanë të bëjnë me strategji, kurse mu ato që do të duhej trajtoheshin si të tilla, në trajtohen pa vëmendje. Ja, se çka thotë Arbën Xhaferi rreth kësaj: “Çdo popull duhet të ketë strategjinë e vet të mbijetesës, të përballjes me sfidat e ndryshme, të përparimit dhe të mirëqenies. Strategjia, nuk mbështetet vetëm në ide, por kërkon kuadër, mekanizma dhe financa për ta realizuar atë. Faza e parë e strategjisë është ideja. Faza e dytë është kuadri, e treta mekanizmi dhe e fundit realizimi i qëllimeve të paracaktuara. Një projekt quhet strategjik, nëse bartësit, janë në gjendje të kontrollojnë tërësinë e proceseve, dhe jo vetëm një fazë. Popujt, që nuk kanë qenë në gjendje, të kontrollojnë tërësinë e procesit strategjik kanë pësuar, janë zhdukur apo janë përtharë”.

Andaj, nëse ka një strategji që hapur e lufton shtetin tonë,  patjetër, duhet të ketë edhe një strategji që i kundërvihet asaj, strategji për forcimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës në çdo pore të jetës.

3.

Sipas një parimi të njohur të diplomacisë, në politikë, ose punon sipas bindjeve tuaja, ose i pranon dhe punon sipas bindjeve të huaja. Debatet ka kohë që kanë pushtuar forcërisht skenën tone mediale e shoqërore, duke ushtruar një ndikim rrëgjues në opinionin tonë. Intensiteti i tyre është gllabërues, temat e ngritura kaotike, dhe për fat të keq shfrenimi në të folur i pafund. Debatet në një shoqëri, duke përfshirë të gjitha nivelet, do të duhej të kishin rol primar në zgjidhjen e problemeve, mirëpo, për fat të keq, për shkak të nivelit të lartë të jokompetencës së bartësve të tyre, dhe të përqarjeve enorme, ato janë duke ushqyer problemet.

Dëmet nuk shkaktohen vetëm nga qëllimet djallëzore dhe prapaskenat e veprimet nën rrogoz, por në shume raste edhe nga mosdija, qoftë e moderatorëve, gazetarëve apo debatuesve. Dhe injoranca gjithmonë krijon edhe inferioritetin në raport me palën tjetër. Shpesh herë teknologjia e këtyre debateve është e thjeshtë, dhe ajo konsiston në krijimin e problemeve nga hiçi, apo mbylljen e heshtjen e çështjeve kruciale.

Një nga karakteristikat e veçanta të skenës tonë shoqërore është akumulimi i energjisë negative. Në momentin që institucionalisht ndërmerret çfarëdo veprimi, çfarëdo iniciative në raport me Serbinë, atëherë pason nje invazion i tërë i kritikave dhe opinioneve me konotacione ekskluzivisht negative, duke parashikuar variantet me skenarët më të errtë dhe më negativ të mundshëm, duke paramenduar dhe parallogaritur vetëm potezat e kundërshtarit, pra, se çka mund të bëjnë ata, çka mund të përfitojnë ata, dhe se çka detyrimisht do të humbim ne. Dhe sipas një skenari të tillë pesimist, përfitimet e kundërshtarit në çdo rast, janë shumë të mëdha, kurse humbjet tona të paevitueshme. Përveç kritikës, shumë rrallë ofrohen opcione, se si do të duhej vepruar, mirëpo edhe kur ofrohet ndonjë zgjidhje, ato janë skizmatike.

4.

Cilat janë përvojat e shteteve tjera në krijimin e strategjive për çështjet kruciale? Në SHBA p.sh. krijimit të strategjive të rëndësishme, u paraprijnë vlerësimet që bëhen nga organizata të pavarura të specializuara dhe profesionale të një sfere, ku punojnë ekspertë eminentë, profesionalizimi, kredibiliteti dhe  dinjeteti i të cilëve është i pakontestuar. Këto organizata zakonisht quhen truste, ofrojnë vlerësime të bazuara në evidencë dhe fakte te pamohueshme, dhe vlerësimet e tilla të situatës, panohen lehtas nga opinioni, dhe pas kësaj ato hyjnë në dhëmbëzorët e mekanizmave instutucional, për operacionalizim. Vendimmarrja e njerëzve në ekzekutiv është e shpejtë dhe efektive, pasi që qëndron brenda kornizës ose platformës, që ka kaluar të gjitha hallkat e miratimit të saj. Në këtë mënyrë  krijohet politika e mirëfilltë shtetrore, ku roli i individit, përkatësisht prirjes, për të imponuar qëndrimet personale dhe ad-hoc limitohet skajshmërisht.

Në  vendet e pazhvilluara e pakonsoliduara, kjo gjë mungon thelbësisht. Për dallim nga ajo që u tha më lart, në trojet shqiptare ka ndodhur shpesh, që vendime të mëdha dhe me pasoja afatgjate, të jenë marrur nga një individ, apo grupe të vogla, pa vlerësime profesionale, pa informata paraprake, pa studime, madje në raste të caktuara, edhe bazuar në trillet e çastit të dikujt. Pasojat e veprimeve të tilla shkaktojnë dy të këqija, pra, jo vetëm që nuk prodhojnë rezultate të mira, por shkaktojnë edhe konfuzion, konflikte dhe shterrje te energjisë në debatet e pafundme ndërmjet veti. Në këso rastesh, rënia në kurthin e marrjes me të kaluarën është e paevitueshme. Dhe, duke u marrë me pasojat e të kaluarës, humbet e tashmja, por, edhe e ardhmja. Krijohet kështu cikli vicioz i marrjes vetëm me pasoja, dhe vetëm me të kaluarën. E kjo, padyshim, u krijon avantazh të padiskutueshëm kundërshtarëve të kombit tonë,  në realizimin e qëllimeve të tyre morbide.

5.

Arbën Xhaferi gjatë tërë jetës së tij, u mor me çështjet fundamentale të kombit. Ai studioi me ngulm historinë tonë, faktet dhe rrjedhat e zhvillimit gjatë shekujve. E bëri këtë me passion dhe vetëdije të lartë shtetformuese. Ai studioi substancialisht edhe raportet tona me fqinjët, e në këtë drejtim edhe me serbët. Studioi luftërat, konfliktet, synimet, veprimet e tyre ndaj shqiptarëve. Studioi, shkroi dhe botoi kurrë pa u ndalur. Nga regjimi serb u quajt, ideologu kryesor shqiptar i luftës kundër Millosheviqit, andaj u luftua vazhdimisht në forma të ndryshme. E kishte kuptuar në thelb strategjinë serbe ndaj shqiptarëve, dhe kishte ofruar menyrën, se si do të duhej të vepronim ne, karshi këtij invazioni të shumëfishtë. Ai kishte demaskuar qëllimet e tyre, kishte sqaruar shkelqyeshëm strategjinë, dhe taktikat e tyre, duke diagnostifikuar saktësisht  veprimet që priteshin nga ta, por edhe mënyrat se si do të duhej të vepronim ne. Lidhur me këtë ai shkruante: ”Politika serbe buron nga platformat e shumta, të dështuara serbe, për krijim të një Serbie të Madhe, që në fakt i tejkalon kapacitetet politike, ekonomike, në përgjithësi strategjike serbe. Ata do të vazhdojnë që të mbajnë paqen ose luftën të ngrirë, për të përfituar sa më shumë nga kjo situatë që ata e krijojnë vetë. Në Serbi është krijuar një krizë që do ta përkufizoja si obsesion i refuzimit të normalitetit. Ata, përmes krizave që shkaktojnë, kërkojnë që të rihapen çështjet e mbyllura, me shpresë se do te fitojnë një mision të veçantë në rajon”.

Dhe, koha i dha katërcipërerisht të drejtë të madhit Arbën Xhaferi, largpamësisë dhe urtësisë të tij. Sepse, ai shihte përtej kohës së tij. E kishte parësore domosdoshmërinë e zhvillimit të kombit tonë, duke thënë: “Të pambaruar, nuk duhet të presim që të na respektojnë të tjerët, ashtu siç jemi në të vërtetë – si komb i lashtë dhe me kulturë që ka se ç’i dhuron botës”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024