Ukraina dhe Rusia kanë arritur sot marrëveshje për eksportet e grurit, nën ndërmjetësim të Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka përshkruar paktin si “marrëveshje për botën”.
Ukrainën e ka përfaqësuar ministri i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov, ndërsa Rusinë, ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Para nënshkrimit të marrëveshjes, Erdogan ka thënë se kjo marrëveshje do të ndihmojë në rritjen e sigurisë për ushqim dhe kontrollim të inflacionit në botë.
Mykhaylo Podolyak, këshilltari i lartë i presidencës ukrainase, ka thënë në Twitter se “nuk do të ketë bartje të grurit me anijet ruse, dhe as nuk do të ketë prezencë ruse në portet tona”.
Më shumë se 20 milionë tonë të grurit janë bllokuar në jug të Ukrainës, prej kur Rusia ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt.
Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur njoftimet për marrëveshje, mirëpo Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se do të fokusohet në mbajtjen e Rusisë përgjegjëse për zbatim të saj.