Në 45-vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, nga agjentët e UDB-së famëkeqe, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, bashkë me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu dhe kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te varret e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, në fshatin Dubovik.
Kurti tha se sot bëjmë nderime, duke kujtuar se si, edhe para suprimimit të autonomisë, gjatë gjithë kohës kemi pasur patriotë të jashtëzakonshëm, veprimtarë të paepur, të cilët u flijuan duke sakrifikuar gjithçka për shtetin dhe lirinë, të cilën e kemi dhe e gëzojmë sot.
Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, u vranë më pak se një vit, pas demonstratave të vitit 1981, në kohën kur organizata të shumta të fshehta të kohës po bëheshin bashkë dhe Jugosllavia e Serbia, i goditën pikërisht Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun, atëherë kur po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha organizimi për Republikën e Kosovës dhe për çlirimin e popullit tonë, u shpreh ndër të tjerash.
Sipas një komunikatës, Jusuf Gërvalla, gjithashtu, tha Kurti, përveçse patriot, ishte edhe publicist, poet e shkrimtar, krijues, gazetar e intelektual, të cilit edhe kjo veprimtari artistike, e pasur, ju ndërpre përgjysmë.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare, vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në 44-vjetorin e rënies së tyre.
Haradinaj ka marrë pjesë në homazhet e mbajtura në Dubovik të Deçanit, duke nderuar sakrificën dhe heroizmin e tyre, të cilët i cilësoi si veprimtarë të hershëm dhe të palëkundur të lëvizjes kombëtare për liri dhe pavarësi.
Ai theksoi se guximi dhe angazhimi i tyre në fazat e para të organizimit kombëtar u bënë frymëzim për breza të tërë dhe bazë e pandashme e rrugës që çoi drejt luftës çlirimtare.
“Guximi dhe aktivizimi i hershëm në lëvizjet për liri ishin burim frymëzimi për të mos u ndalur në rrugën drejt lirisë, e cila u kurorëzua me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,” theksoi Haradinaj.