Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në tryezën e organizuar sot nga Këshilli i Investitorëve Evropian “Presidenca Çeke e BE-së 2022 dhe Ballkani Perëndimor”, ka shfaqur pritjet e tij për heqjen sa më të shpejtë të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ai me këtë rast ka përkujtuar se heqja e vizave është vonuar pavarësisht se Kosova ka përmbushur kushtet.Ai ka theksuar se në fushën e migrimit, Kosova ka ndërtuar kapacitetet e nevojshme për menaxhimin e migrimit, ku ka nënshkruar 24 marrëveshje për ripranim me 22 vende anëtare të BE-së, duke bërë kështu që vendi ynë të ketë numrin më të vogël në rajon të azilkërkuesve pas Malit të Zi.
“Sa i përket aplikimit për anëtarësim në BE, theksova se vitin tjetër bëhen 20 vjet nga Samiti i Selanikut dhe Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i cili nuk ka aplikuar ende për anëtarësim. Perspektiva evropiane duhet të përkthehet në perspektivë për anëtarësim të plotë në BE, e aplikimi ynë është përpjekje për të konkretizuar këtë të fundit”, ka përfunduar Bislimi.