Thaçi: ZPS po ia zë diellin Kosovës
Lexohet për: 7 min.
Dëgjoje me zë...
Thaçi: ZPS po ia zë diellin Kosovës
thaqi-2
18/02/2026 - 15:14
Linku u kopjua

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se është plotësisht i pafajshëm përballë akuzave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë. Ai në fjalimin para trupit gjykues tha se është vetëm një e vërtetë, ajo se akuzat nuk qëndrojnë.

Thaçi në hyrje të fjalimit, para trupit gjykues në Hagë, u uroi qytetarëve të Kosovës 18-vjetorin e Pavarësisë, derisa kujtoi edhe momentet e shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008.

“Dje në Kosovë u shënua 18-vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Më 17 shkurt 2008, duke ndjerë rrahjet e stërgjyshërve tanë, shpallëm Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Dëshiroj që nga kjo sallë të përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve për këtë festë madhështore”, tha ai.

https://kosovapress.com/20-minutat-e-thacit-ekziston-vetem-nje-e-vertete-une-jam-i-pafajshem

Duke shprehur pafajësinë e tij përballë akuzave, Thaçi tha se bashkëndjen dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat që kanë pësuar në Kosovë gjatë periudhës së luftës.

“Për gati tri vite në këtë sallë gjyqi ju keni dëgjuar akuzat e prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes. Ju keni parë faktet, keni dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë se akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm. Unë kam thënë dhe e them sërish me bindje të plotë se bashkëndjej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat që kanë pësuar në Kosovë, pavarësisht përkatësisë etnike”, shtoi ai.

Ish-presidenti Thaçi theksoi se në fillim të vitit 1998 ishte student në Cyrih dhe, sipas tij, nuk kishte plane për marrjen e kontrollit në Kosovë.

“Në kohën e masakrave në Qirez, Likoshan dhe Prekaz, në fillim të vitit 1998, unë isha student në Universitetin e Cyrihut dhe nuk po bëja plane sesi ta merrja kontrollin në Kosovë, por po bëja plane sesi t’i përgatisja provimet në universitet. I vetmi njeri që po bënte plane morbide ishte Slobodan Millosheviqi për një gjenocid në Kosovë. Prandaj, si shumë qytetarë të tjerë kosovarë, edhe unë më herët u detyrova ta lë Kosovën pasi regjimi i Millosheviqit më kishte ndjekur dhe më kishte dënuar në mungesë me akuzën se kisha shkelur ligjet e tyre diskriminuese. Po më vonë i njëjti regjim do të dënojë në mungesë edhe presidentin Clinton, sekretaren Albright, kryeministrin Blair, sekretarin e NATO-s Solana dhe të tjerë... Prokuroria pretendon se qëllimi ishte marrja dhe kontrolli i Kosovës. Kjo jo vetëm që është plotësisht e pavërtetë, absurde, por është edhe ofenduese. Është ofendim për kujtimin e mijëra heronjve që dhanë jetën për liri. Është ofendim për dhjetëra mijëra viktima të pafajshme të vrara gjatë masakrave. Është ofendim dhe e padrejtë edhe për përpjekjet e NATO-s dhe aleancës perëndimore, me të cilat unë bashkëpunova ngushtë”, tha ai.

Thaçi ritheksoi se është e rëndë të dëgjosh akuzat e Prokurorisë Speciale, derisa i vetmi kundërshtar i tij dhe i popullit të Kosovës dhe botës demokratike ishte Slobodan Millosheviqi.

“Të nderuar gjyqtarë, më lejoni të përsëris një të vërtetë të përjetshme. I vetmi, ama bash i vetmi kundërshtar i imi, i popullit të Kosovës dhe botës demokratike ishte Slobodan Millosheviqi. Është e rëndë të dëgjosh këtë akuzë. Veçanërisht kur gjatë luftës unë nuk e dija nëse do të isha gjallë prej orës në orë dhe prej ditës në ditë. Unë nuk isha i sigurt nëse do ta shihja familjen time, gruan dhe djalin e sapolindur, e lëre më të ushtroja kontroll në Kosovë... Pyetja që shtrohet sot është marrja e kontrollit prej kujt? Kush? E vërteta është se kontrolli dhe pushteti ishin plotësisht, ama plotësisht në duart e hekura të Slobodan Millosheviqit dhe askujt tjetër. Shqiptarët nuk ushtronin pushtet. Është paradoksale. Ata shtypeshin nga pushteti i Millosheviqit. Misioni ynë ishte i qartë: mbijetesa, liria dhe paqja. Unë nuk kisha fare iluzione, por shpresa jonë e vetme për shpëtim ishte bota demokratike, SHBA-ja dhe NATO... Luftën mund ta përfundonte vetëm NATO dhe askush tjetër. Ashtu ndodhi. Po të mos ishte intervenimi i NATO-s, liri të Kosovës nuk do të kishte. Nuk do të kishte as pavarësi të Kosovës. Pavarësia nuk ishte instrument për të marrë pushtet, por për dinjitet”, theksoi ai.

Duke kujtuar themelimin e Gjykatës Speciale, Thaçi tha se në vend që ZPS-ja t’ia heqë renë e zezë Kosovës, kërkon që t’ia zërë diellin me stuhi.

“E vërteta është se propaganda ruse dhe serbe manipuloi Dick Martyn dhe e ushqyen me informacione të rreme dhe në fund tentuan edhe ta vrisnin për të na fajësuar neve. Qëllimi ishte i qartë: të diskreditohej projekti më i suksesshëm politik dhe ndërkombëtar si storie e suksesit të Kosovës. Kur votuam në parlament për themelimin e kësaj gjykate, ne besuam se ajo do t’i trajtonte akuzat në raportin e Dick Martyt dhe do të vepronte në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Në praktikë as njëra dhe as tjetra nuk ndodhi. Unë jam kritikuar shumë dhe kritikohem ende në Kosovë se pse e mbështeta themelimin e kësaj gjykate. Kritikët thonë se kjo gjykatë synon kriminalizimin e luftës sonë për liri dhe idenë e pavarësisë. Këtë nuk e kam besuar në atë kohë kur e votuam, por uroj sinqerisht se koha do të dëshmojë se unë kisha të drejtë dhe kritikët gabim... Kjo prokurori, në vend që të heqë renë e zezë Kosovës, kërkon t’ia zërë diellin me një stuhi të zezë të ashtuquajturën ndërmarrje e përbashkët kriminale”, tha ai.

Duke folur për pretendimet dhe akuzat e prokurorisë, Thaçi tha se disa prej akuzave i ka dëgjuar edhe gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë.

“Shumë nga akuzat që kam dëgjuar nga kjo prokurori në këtë sallë i kam dëgjuar gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë. Ama bash janë të njëjtat. Është e dhimbshme që kjo prokurori përpiqet t’i hedhë poshtë dëshmitë e zyrtarëve të lartë të SHBA-së, NATO-s, Britanisë së Madhe dhe OKB-së... Kjo prokurori pretendon se unë i paskam qitur në lajthitje gjatë gjithë kohës së luftës. Kjo është qesharake. Kjo prokurori më mbiçmon më tepër sesa e meritoj. Në anën tjetër, kjo prokurori lart në qiell dëshmitë e fabrikuara të regjimit të Millosheviqit, duke injoruar edhe të vërtetën”, tha ai.

Më 9 shkurt të këtij viti, në Dhomat e Specializuara ka nisur paraqitja e fjalës përmbyllëse në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.

Kjo shënon fazën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ata kanë deklaruar para trupit gjykues se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së për krime lufte.

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026