Pluhuri që ngjitej në çdo frymëmarrje, errësira që ngjallte frikë dhe uria që sfidonte trupin, por jo vullnetin, mbeten të gjalla në kujtesë, edhe në 37-vjetorin e grevës historike kur minatorët e Trepçës i kaluan tetë ditë e tetë net nën tokë.
Disa nga ta, tash kujtojnë guximin dhe vendosmërinë për të mbrojtur Kushtetutën e vitit 1974, ndërsa solidariteti i tyre dhe mbështetja e popullit u bënë armët më të fuqishme në këtë betejë për dinjitet dhe drejtësi.
Rexhep Rrahmani, një prej minatorëve që mori pjesë në grevë, tha për KosovaPress se qëllimi i tyre ishte i qartë: mbrojtja e Kushtetutës së vitit 1974 dhe të drejtave të tyre.
Rexhep Rrahmani kujton se në horizontin e nëntë u nis shteti i Kosovës që u finalizua me luftën çlirimtare.
Ndërsa, ish-minatori tjetër Ajet Tahiri ka treguar se gjatë atyre ditëve minatorët ishin shumë të lidhur mes vete dhe vepruan pa ndonjë kërkesë apo ndihmë nga udhëheqësit. Kur Serbia dhe Millosheviqi hoqën autonominë e Kosovës, ata vendosën rrugën e tyre për të mbrojtur Kushtetutën.
Selim Selimi, i cili e përjetoi nga afër grevën e vitit 1989, tregon se vështirësitë kishin nisur që në ditët e para të punës, kur përveç kushteve të rënda, kishte pasur edhe vonesa në paga.
Ai shton se vendosmëria e minatorëve ishte e palëkundur dhe se, sapo merrnin një vendim, nuk kishte më kthim prapa. Të përgatitur edhe për sakrificën më të madhe, ata qëndruan nën tokë pa kushte minimale.