Testet laboratorike do të kryhen pa asnjë barrë financiare për bizneset
Biznes
Lexohet për: 2 min.
Testet laboratorike do të kryhen pa asnjë barrë financiare për bizneset
7 orë më parë
Linku u kopjua

Ministria e Industrisë dhe Dogana e Kosovës kanë nënshkruar sot një marrëveshje mirëkuptimi, e cila garanton që testet laboratorike do të kryhen pa asnjë barrë financiare për buxhetin e MINT-it apo bizneset, duke siguruar transparencë dhe integritet në këtë proces dhe duke përmirësuar standardet e kontrollit të cilësisë.

Që nga vendimi i ministres në detyrë Rozeta Hajdari, Dogana e Kosovës ka marrë përsipër kryerjen e testimeve laboratorike për të garantuar konformitetin e derivateve të naftës të importuara në Kosovë, dhe se me kalimin nga laboratorët privatë në laboratorët shtetërorë, janë kursyer 1.1 milion euro.

Për më tepër, nga nëntori 2021, për herë të parë ka nisur kontrolli i cilësisë për vajrat motorikë dhe hidraulikë. Laboratori i Doganës së Kosovës ka kryer testime për 910 mostra të vajrave, prej të cilave 78 nuk i kanë përmbushur standardet dhe janë ndaluar nga hyrja në treg.

MINT përkujton se është kryer auditimi i katër operatorëve privatë të licencuar për përzierjen e karburanteve dhe vajrave për ngrohje, ku pas inspektimeve, Dogana e Kosovës konstatoi se operatorët nuk po respektonin masat e mbikëqyrjes, pas së cilës ministria vendosi revokimin e licencave.

Si rezultat, bazuar në kërkesat e tregut dhe rritjen e mbikëqyrjes, kemi parandaluar shmangien tatimore që mund potencialisht të ndodhte përmes këtyre operatorëve, duke kursyer buxhetin e Kosovës me rreth 3.5 milionë euro në vit, thuhet në komunikatë.

Me fuqizimin e mëtejshëm të laboratorit shtetëror, MINT thotë se do të sigurohet një sistem i pavarur dhe i besueshëm i testimit që i shërben nevojave të tregut dhe qytetarëve, rritjes së cilësisë së produkteve, mbrojtjes së konsumatorit dhe efikasitetit ekonomik, përcjell KosovaPress.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025