Të hënën në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Paraqitja e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar(ZPS) në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) do të vazhdojë të hënën në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në tri ditë të kësaj jave është intervistuar dëshmitarja e parë e prokurorisë, e cila ka dëshmuar nën masa mbrojtëse dhe tërësisht në seancë të mbyllur për publikun.

Ajo është përgjigjur në pyetjet e ZPS-së si dhe të ekipeve mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në informimin javor të Dhomave të Specializuara u tha se të gjitha gjykimet janë publike por gjykatësit në disa raste vendosin të kryerjen një pjesë të seancës në privat me qëllim të mbrojtjes së identitetit të dëshmitarit.

“Vendimi për t’i kryer seancat në seancë private për të mbrojtur dëshmitarët shqyrtohet me kujdes nga gjykatësit, rast pas rasti. Gjykatësit sigurohen që të ketë balancë midis nevojës për mbrojtje të dëshmitarëve dhe të drejtave të të akuzuarve. Për shembull, edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk është publike, avokatët e të akuzuarve përsëri kanë të drejtën t’i bëjnë pyetje dëshmitarit nga ana e tyre”, tha zëdhënës Michael Doyle.

Seanca gjyqësore do të vazhdojë të hënën më 17 prill nga ora 09:00, ndërsa janë paraparë seanca për katër ditë me radhë.

Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024