Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Komerciale, përmes së cilës, sipas tij, janë detyruar mbi 1300 biznese në Kosovë të dalin në të ashtuquajturin “treg të lirë” të energjisë elektrike.
Këto biznese, që punësojnë mbi 140 mijë qytetarë, sipas Tahirit, tash janë të detyruara ta blejnë energjinë me çmime shumë më të larta.
“Bizneset tani detyrohen ta blejnë energjinë nga kjo kompani me 280% më shtrenjtë,” ka shkruar Tahiri në një postim në rrjetet sociale, duke e quajtur këtë një akt të kapjes së tregut nga një ‘mafi energjetike’, që sipas tij ka lidhje edhe me struktura në Serbi dhe Republika Srpska.
Tahiri ka përmendur edhe emrin e Dejona Mihalit, për të cilën pretendon se është e përfshirë në këtë “zinxhir kriminal”, bashkë me figura të tjera brenda Vetëvendosjes, përfshirë edhe ish-shefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin.
Në fund të reagimit, Tahiri e ka cilësuar vendimin e ZRRE-së si “kriminal” dhe ka kërkuar hetim ndërkombëtar për, siç tha ai, këtë rrjet të kapur politik e ekonomik që po dëmton rëndë interesin publik dhe sektorin privat në Kosovë.
Çmimi së paku dyfish më i lartë i energjisë elektrike për prodhuesit vendor që kalojnë në tregun e lirë, pritet t’i ngre çmimet e produkteve, duke u bërë ata jo-konkurrentë me produktet që importohen në Kosovë, por jo-konkurrent edhe në Evropë. Ndërkohë, Zyra e Rregullatorit duket që ka marrë “zemër” nga vendimi i fundit i shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale.