Qeveria Kurti III është një ndër kabinetet më të mëdha në Ballkanin Perëndimor dhe sa Kina, tha shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
Ai në konferencë për media të mërkurën kritikoi kryeministrin Albin Kurti, siç tha për numrin e madh të ministrave dhe këshilltarëve politikë.
Sipas tij, qeveria përmes rregullores së miratuar ka emëruar politikisht 453 persona.
“Kryeministri ka deri 49 këshilltarë dhe staf. A jeni duke kuptuar, janë 50 njerëz duke përfshirë këshilltarë politikë, këshilltarë të jashtëm, 15 staf të emëruar politik të cilët emërohen prej partisë. A ju kujtohet çka thoshte? Kryeministri s’ka nevojë për shumë këshilltarë... Kjo qeveri i ka 453 njerëz që mundet me i emëruar politikisht. Nuk po e thotë Besnik Tahiri, por rregullorja 04-2026 e cila përbën madhësinë më të madhe të kabineteve politike që e ka dikush”, shtoi Tahiri.
“Kemi një kabinet më diskriminues pasi nga 21 anëtarë sot i kemi vetëm katër gra ministre. Deri dje në fushata kanë folur për të drejtat e grave e sot i kemi vetëm 4 gra ministre. Kemi më pak se 20 për qind të kabinetit qeveritar. Andaj kërkoj nga qeveria që të respektohet barazia gjinore”, theksoi Bytyqi.
Shefi i deputetëve të AAK-së u pyet edhe për mundësitë e zgjedhjeve të reja, teksa u shpreh i bindur se partia e Ramush Haradinajt do të ketë rezultat pozitiv.