Tahiri: Problemi nuk është presidenti, por dëshira për të ‘kapur’ çdo institucion
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Tahiri: Problemi nuk është presidenti, por dëshira për të ‘kapur’ çdo institucion
PDKK
07/03/2026 - 15:50
Linku u kopjua

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja për shkak të mungesës së vullnetit politik nga shumica parlamentare për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

Ai tha se situata aktuale politike mund të ishte shmangur nëse do të kishte pasur dialog dhe kompromis mes partive politike, raporton KosovaPress.

“Sot jemi mbledhur këtu për të folur për një situatë që askush nuk do të donte ta shihte. Vendi ynë është në prag të zgjedhjeve të reja. Dhe pyetja që shtrohet është shumë e thjeshtë: pse po shkon Kosova përsëri në zgjedhje të reja? A ishte e pashmangshme kjo situatë? A nuk kishte rrugë tjetër? A nuk kishte mundësi që vendi të kishte sot një president dhe institucione stabile? Në vlerësimin tonë, përgjigja është e qartë: po, kishte mundësi”, u shpreh Tahiri.

Sipas tij, shumica parlamentare nuk ka bërë përpjekje serioze për të arritur marrëveshje për presidentin, por ka zvarritur procesin deri në momentet e fundit.

“Por kur refuzon marrëveshjen dhe insiston vetëm me kandidat partiak, atëherë mesazhi është i qartë: problemi nuk është presidenti, problemi është dëshira për ta kontrolluar çdo institucion të vendit. Dëshira për t’i nënshtruar të gjithë aktorët e tjerë politikë ndaj një mentaliteti autoritar, pra për ta kapur çdo institucion. Dhe pikërisht kjo logjikë na ka sjellë sot këtu. Sepse ju e dini të gjithë, presidentët e zgjedhur në Kosovë kanë ardhur si rezultat i marrëveshjeve mes partive politike, ku vendi asnjëherë nuk ka dështuar të zgjedhë presidentin e parë. Kjo është hera e parë. Duket se për këtë shumicë parlamentare, fatkeqësisht, fjalët ‘marrëveshje’, ‘kompromis’, u konsideruan si të këqija, të vjetra apo të dëmshme”, tha Tahiri.

Ai pom ashtu tha se PDK ka marrë pjesë në takime me kryeministrin Albin Kurti për të gjetur zgjidhje, duke shtuar se partia e tij kishte propozuar edhe një kandidat konsensual nga familja Jashari dhe kishte ofruar një marrëveshje të kufizuar vetëm për zgjedhjen e presidentit.

Sipas tij, alternativa për zgjidhjen e situatës ekzistonte, por mungoi vullneti politik nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ideja ka qenë që kandidati dhe kundërkandidati të propozohen nga PDK, në momentin që zotëri Kurti është pajtuar që kandidati dhe kundërkandidati të propozohen nga PDK. Pastaj ka qenë faza që ne t’i propozonim emrat dhe jo t’i impononim emrat. Pra, t’i propozonim emrat dhe t’i diskutonim bashkërisht se kush do të ishin emrat më të mirë që do t’i bënin nder presidentes së Kosovës nesër dhe që do ta përfaqësonin Kosovën. Ky ka qenë qëllimi: të pajtohemi për procesin në mënyrë që të ruhet diversiteti dhe emrat të jenë të propozuar nga PDK. Pse kandidati dhe kundërkandidati? Për shkak që të mos mund të imponohet një zgjedhje vetëm me vota, sepse ne e kemi ditur fuqinë që kanë LVV, PDK, LDK, AAK dhe forcat e tjera politike në Kuvendin e Kosovës. Pra, të arrihej kushti minimal që të jenë dy të propozuar dhe madje të përcaktohej për cilin do ta jepnim mbështetjen, dhe sot Kosova do të kishte president. Por ata – po del se derisa ne kemi folur për procesin – ata kanë propozuar emra. Në datën 11 të natës e kanë propozuar Andin Ukshin Hotin, dhe të nesërmen, më 12, gjatë ditës e kanë kandiduar dhe e kanë proceduar për Kuvend Glauk Konjufcën. Kjo është tërësisht qasje jo serioze”, tha Tahiri.

Ai shtoi se partia e tij është e gatshme për zgjedhjet e ardhshme dhe se do të prezantojë një program për stabilitet institucional, zhvillim ekonomik dhe qeverisje serioze.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se sipas vlerësimit të tij, Kuvendi i Kosovës ka shkelur Kushtetutën me mosveprim duke mos zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues, gjë që sipas tij çon në shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

“Kuvendi i Kosovës ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me mosveprim, duke mos zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues dhe për pasojë është shkelur Kushtetuta nga Kuvendi. Pasoja e kësaj është shpërndarja e tij dhe shpallja e zgjedhjeve të reja. Presidentja ka vepruar në përputhje me Kushtetutën duke ushtruar kompetencat e saj për shpërndarjen e Kuvendit dhe besoj shpejt për caktimin e datës së zgjedhjeve. Kjo normë nuk mund të interpretohet që Kuvendi të shmangë shpërndarjen e tij duke mos filluar procedurën ose duke mos e konsumuar atë. Një interpretim i tillë do ta bënte normën kushtetuese të pavlefshme dhe do të krijonte mundësi për bllokada të përhershme institucionale”, tha Gruda.

Ai shpjegoi gjithashtu se Kushtetuta parasheh dy afate të ndryshme që lidhen me procedurën e zgjedhjes së presidentit dhe se secili prej tyre ka qëllim të veçantë juridik.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026