Për vrasjen në “Bon Vivant”, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka fajësuar sistemin e drejtësisë në vend.
“Edhe sot humbëm një jetë nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë”, ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.
“Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t'i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetra të rinj të tjerë. Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme! Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se është koha e fundit që efikasiteti i policisë në këtë segment të rritet, por mbi të gjitha përgjegjshmëria dhe vendosmëria e Prokurorisë dhe guximi i gjykatësve për dënime drakonike për këtë kontigjent kriminal.
Ministri Sveçla ka përmendur po ashtu rastin e së pretmes për dënimin e përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit, duke theksuar se drejtësia nuk është shërbyer plotësisht, pasi ndëshkimi erdhi vetëm pas vdekjes së një vajze të re.
“Dje, dy kriminelë morën dënimet e merituara, njëri ndër ta me burgim të përjetshëm. Megjithë dënimin kapital, nuk mund të themi se drejtësia është shërbyer. Ndëshkimi erdhi vetëm pasi humbëm një jetë të re, atë të Marigonës. Duhet të humbte jetën e saj një nëntëmbëdhjetë vjeçare, dhe në mënyrën me te dhunshme, që sistemi i drejtësisë të ndjente peshën e krimit. Nuk pati ndëshkim për 135 veprat penale të mëhershme të Dardan Krivaqës. Nëse drejtësia do të kishte reaguar në kohën e duhur, Marigona do të ishte gjallë”, ka shkruar ai.