Gjykata Supreme njofton se ka refuzuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për faturimin e rrymës të qytetarëve për katër komunat veriore të Kosovës.
Sipas komunikatës së kësaj gjykate, nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie.
Edhe Gjykata e Apelit me aktgjykimin AA nr. 990/2021, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e të paditurës, ZRRE, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë A.nr. 1373/17, e ka vërtetuar.
”Kolegji i Gjykatës Supreme lidhur me objektin e çështjes në shqyrtim, konstaton se gjykatat e instancave më të ulëta, drejtë e kanë vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë kanë aplikuar të drejtën materiale me mënyrën e vendosjes, përkatësisht aprovimin si të bazuar të kërkesëpadisë së paditësit Avokati i Popullit, dhe anulimin e vendimit të paditurës ZRRE, lidhur me faturimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për rrymën e shpenzuar, por të pa-paguar në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, (ashtu që nga KEDS rryma e shpenzuar atje bazuar në vendimin e ZRRE-së, u është faturuar qytetarëve të pjesëve të tjera në emër të kthimit të kostove të tjera të humbjeve në sistemimin e transmisionit, pa të drejtë dhe bazë ligjore”, thuhet në njoftim.